E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: 45 mijë tonë armatime rrezikojnë jetën e banorëve

Luis Tanushi

Shqipëria mbetet ende e rrezikuar nga 45 mijë tonë armatimet e rrezikshme, të cilat prej vitesh janë në pritje për tu shkatërruar. Por çdo vit që kalon gjendja e tyre përkeqësohet dhe armatimet bëhen edhe më të rrezikshme. Kësaj i shtohet edhe rreziku emergjent që vjen nga 22 depo me armë, të cilat ndodhen pranë qendrave të banuara. Këto shifra janë pohuar dje nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.

Janë rreth 25 mijë tonë municione që do të asgjësohen në vitin 2011, por kujtoj se brenda këtij viti muajt Janar-Qershor janë asgjësuar 19 mijë ton municione. Sasia e mbetur është 45 mijë tonë municione të shkallës së rrezikshmërisë më të lartë si dhe 22 depo më armë pranë qendrave të banuara,- tha dje Imami. Sipas ministrit, plani është që këto municione të hiqen brenda vitit 2013, në bazë të një plani të hartuar me ndihmën e ndërkombëtarëve. Por ministri i cilësoi edhe një herë këto municione si të tepërta, shumë të vjetra dhe që përbëjnë rrezik real për popullatën.

Referuar të njëjtës periudhë të vitit të shkuar, sipas ministrit, forcat e armatosura kanë asgjësuar 4. 487 tonë municione. Sipas tij, gjatë këtyre viteve është ulur rreziku që vinte si rezultat i prezencës së municione që përbënin rrezik, reduktimit të depove të municionit pranë qendrave të banuara dhe asgjësimit të një sasie të konsiderueshme municionesh.

Shifrat e demontimi ndër vite janë 6. 540 tonë në vitin 2009, mbi 20 mijë tonë në vitin 2010, ndërsa objektiv për ushtrinë mbetet asgjësimi i 25 mijë tonë në vitin 2011. Asgjësimi i municioneve të tepërta, sipas Imamit, do të çlirojë shtetin nga kostoja e lartë për ruajtjen, administrim dhe mirëmbajtjen e tyre. Ministri Imami kërkoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të vendit tonë, për të mbështetur vazhdimin dhe përfundimin me sukses të këtij procesi.

Shitjet

Bashkë me këtë projekt Imami paralajmëroi edhe shitjen e shumë materialeve të vjetra të ushtrisë për skrap. Ky proces ka nisur tashmë dhe ministria ka shkatërruar një pjesë të madhe të objekteve ushtarake duke arritur deri tek nëndetëset që ndodheshin në bazën ushtarake të Pashalimanit. Ofertat e qeverisë shqiptare për shitjen e skrapit janë publikuar deri në gazetat më të mëdha amerikane pasi nevoja për të mbledhur sa më shumë para është emergjente dhe çdo mundësi duhet marrë në konsideratë.

Bashkëngjitur projektit të demilitarizimit, qeveria ka edhe një tjetër projekt për të shitur pronat e ushtrisë. Duke i cilësuar si materiale të tepërta, Ministria e Mbrojtjes është gati të nxjerrë në shitje edhe një mijë prona me pretendimin se nuk nevojiten për Forcave të Armatosura. Bëhet fjalë për reparte ushtarake, depo magazinimi e deri tek shtëpitë e pushimit. Të gjitha këto prona të ushtrisë janë kërkohen fuqimisht nga biznesmenë të ndryshëm për shkak të infrastrukturës dhe pozicioneve të mira që kanë.

Arvizu: Përpara Gërdecit dhamë 8.5 milionë dollarë

Shteti amerikan është financuesi kryesor i proceseve të demontimit të armëve dhe ambasadori i SHBA-së ka kërkuar dje një proces me masa sa më të rrepta sigurie në mënyrë që të mos përsëriten tragjedi si ajo e Gërdecit. Do të doja gjithashtu që të sjell në mendje se përpara tragjedisë së tmerrshme të Gërdecit, SHBA ka dhënë më shumë se 8.5 milionë dollarë si pjesë e asistencës për shkatërrimin e municioneve të tepërta. Që prej asaj kohe ne kemi vazhduar financimet dhe para një jave unë dhe zoti Imami nënshkruam një grant të ri, për pastrimin e zonave të ndotura, jo vetëm në Gërdec, por anembanë Shqipërisë. Është e rëndësishme të dihet se pa ndihmën e nevojshme ndërkombëtare, projekte të tilla do të ishin me rrezik, tha ambasadori i SHBA-së.

Por ai kërkoi siguri edhe në ruajtjen e armëve dhe municioneve të rrezikshme pasi ato mund të përfundojnë në duart e trafikantëve, kriminelëve dhe terroristëve, qofshin këta në Shqipëri apo në të gjithë botën dhe do të kemi gjithashtu një shans më të mirë për të parandaluar aksidentet, të cilat mund të marrin jetë të pafajshme të njerëzve që jetojnë pranë këtyre depove të municioneve dhe të armëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›