Imami: Do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë
Ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kryesuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami ka vijuar takimet dje me qytetarët e rajonit nr.5 dhe nr.6, në Elbasan, i shoqëëruar nga deputeti i zonës, z.Luçiano Boçi. Në këtë takim, Imami e ka vënë theksin tek investimet që ka bërë qeveria shqiptare, ndërsa shtoi se “nga pushteti lokal nuk është bërë asnjë investim në qytetin e Elbasanit”. “Para tetë vitesh nuk kishim drita, ne harrojmë kur Sali Berisha tha se ky vend mund të bëhet, dhe ne kemi këmbëngulje për të ecur përpara për ta bërë këtë vend superfuqi rajonale energjetike. Socialistët u tallën me të ardhmen e vendit, sepse hidrocentralet po bëhen, janë 400 hidrocentrale të tjera, janë mbi 100 në konçension, dhe 50 kanë përfunduar. Rreth 11 hidrocentrale me fuqi 200 mega janë në Librazhd, dhe kjo nuk është një ëndërr është një realitet”. Duke u ndalur te punësimi, z.Imami theksoi se në Shqipëri papunësia pësoi ulje, ndryshe nga vendet e rajonit, ku kriza ekonomike shkurtoi mijëra vende pune. Mbështetja e sektorit bujqësor dhe subvencionimi i fermerëve ndikoi në rritjen e prodhimit bujqësor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Kur na jepet mundësia ne shqiptarët punojmë më mirë se të tjerët. Sigurisht, nëpërmjet taksave të ulta, investimeve në rrugë dhe subvencioneve, papunësia është ulur, ndërkohë që papunësia rritet vazhdimisht në Greqi dhe në vende të tjera të europës. Nëse ne do të vazhdojmë këtë rrugë jo vetëm që do të vazhdojmë t’i shpëtojmë krizës, të vijojmë me rritje punësimi, rritje ekonomike si edh einvestime të më dha si Boshti i Jugut, etj, kjo është ajo që mendojmë ne, e thjeshtë dhe e bukur. Ne as PS nuk e di mbas 23 qershorit, cfarë plani ka PS kush do të jetë kryemistër Meta apo Rama? Sepse Edi Rama është i jashtëzakonshëm për të bërë gjithcka, po i dhe gjë në dorë e shkatërroi. At Zef Pllumbi ka thënë, kur hyri Edi Rama në PS, shumë mirë se vetëm ky burrë do ta shkatërrojë atë parti, asnjë njeri tjetër. Të votojmë PD për një Shqipëri në Europë për një Elbasan me shumë investime”- tha Imami.
Boçi: Ben Blushin duhet ta marrin përdore dhe t’i tregojnë Elbasanin/Nga ana e tij, kandidati për deputet, z. Luçiano Boçi i cili kandidon në këtë zonë, edhe një herë e ka vë në theksin tek projektet që ka qeveria për programet e arsimit, si edhe investimet që janë arritur dhe do të realizohen në këtë katër vjeçar, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe rininë si një nga programet më të rëndësishme të kësaj partie. Duke komentuar rivalin e tij në Qarkun e Elbasanit, Ben Blushin, Boçi tha se, “atë duhet ta marrin përdore dhe t’i tregojnë Elbasanin”.
“Pasi dëgjova deklarata të kreut të punës së PS në Elbasan, them se nuk jam as si Edi Rama dhe as si Ben Blushi, i cili ndoshta në Korçë ka mësuar të ecë vetë, por që të ecë në Elbasan duhet ta marrin përdore sepse ai mund të vijë një herë në katër vite mund t’i japë dorën disa qytetarëve të Elbasanit, por unë kam lindur këtu, jam këtu, i takoj çdo ditë dhe jam i gatshëm t’i përgjigjem qytetarëve në çdo moment në çdo kohë. Kemi nisur një betejë, jemi këtu për të kërkuar një mandat tjetër, sepse jemi të bindur se bashkë me ne do të marrim edhe statusin e vendit kandidat”, tha Boçi.
Programi ynë është Shqipëria drejt zhvillimit dhe Europës
Në takimin me zgjedhësit në rajonin nr.6 të qytetit të Elbasanit, Imami i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ndërtimit të tunelit të Krrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan dhe efekteve pozitive që sjell kjo rrugë për qytetin e Elbasanit dhe të gjithë zonën juglindore të vendit. Gjithashtu, zoti Imami solli në vëmendje edhe rolin destruktiv të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste nga protestat, bojkotet, grevat e urisë dhe deri te bllokimi i procesit të integrimit të vendit në BE. “Çfarë bënë këta zotërinj të PS? Çfarë bëri Edi Rama që në momentin që erdhi në PS? E nisi me bilbila dhe e mbylli me dajre, e vazhdoi me mosnjohjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 2009-ës, nuk e pranoi parlamentin nuk e pranoi qeverinë, se nuk mund ta kuptojnë kurrë që pushteti të mos jetë i komunistëve në Shqipëri, bojkotuan parlamentin, bëri grevën e urisë, për pak vdiqën disa deputetë të Elbasnait, dhe nuk i futi prap në listë, bëri edhe një krim të shëmtuar 21 janarin, e pabesueshme në vitin 2011 mbas 20 vjetësh përpjekje për demokraci, sulmoi Policinë e shtetit, sulmuan simbolin e qeverisjes, Këshillin e Ministrave, pse, për të ndaluar rrugën tonë drejt europës. Nuk voton tre ligjet e fundit, sepse ka hallin se duke marrë statusin e vendit kandidat PD dhe kryeminstri janë prapë në qeveri. Por nëse ne ecim në rrugën e Europës dhe t’i ecën në rrugën e errësirës, sigurisht që Sali Berisha dhe e djathta do të jetë në avantazh. Nuk ka ndodhur asgjë gjashtë muajt e fundit vetëm një puthje Rama – Meta. Ai jo vetëm që bllokon, por është i pa arsyeshëm, dhe ne kemi vetëm një rrugë, të votojmë PD në mënyrë që këtë mur të bllokimit ta çajmë siç çamë këtë mal, në mënyrë që shqipëria këtë katër vjeçar të jetë në Europë”- u shpreh Imami.
Kryesuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami u ndal tek investimet dhe zhvillimi i shqipërisë në tetë vitet e fundit. Sipas tij, para tetë vitesh vendi ishte i rrënuar, ku nuk i kushtohej vëmëndje qytetarit, ndërsa e vuri theksin tek ulja e taksave, transparenca, ulja e korrupsionit, duke bërë të mundur mbledhjen e parave si edhe dyfishimin e buxhetit të shtetit brenda katër vitesh. “Me taksën e Ramës do të ngushtohen bizneset, investimet, vendi nuk do të ecë përpara, por ne në tetë vite e kemi treguar se si ndërtohet vendi, e kemi treguar kur e gjithë europa është në krizë, ne kemi vazhduar ta ulim pak papunësinë, por në këtë kontekst krize të tjerët bëjnë të kundërtën, është rritur papunësia. Kjo u bë e mundur me një politikë fiskale të rreptë, dhe me një politikë të hapur ndaj biznesit të vendit dhe të huaj”. Imami u shpreh i sigurtë që në katër vitet e ardhshme qeveria do të mbyllë programin e infrastrukturës duke deklaruar se “do të mbyllim edhe dy programe të mëdha njëri për industrinë dhe tjetri për bujqësinë do të ketë zhvillime jashtëzakonisht të mëdha, sepse ne vendosëm të shfrytëzojmë pasurinë në vendin tonë, dhe kjo pasuri është toka dhe uji. Ne investuam në industrinë e ndërtimit, por ajo që është vlera më e madhe është hidroenergjitika, ne kemi një potencial energjetik shumë të madh. Kjo politikë është që Shqipëria të ketë energji, sepse ne harxhojmë shumë para për të blerë energji, por në momentin që Shqipëria do të prodhojë energji jo vetëm që do të ketë për vete, por edhe do të eksportojë, dhe këto para do të futen në buxhetin e shtetit, por kjo nuk bëhet për një ditë. Ne kemi pasur rritje prodhimi në shtator të 2008 ishim mbi 8 përqind, dhe kishim shanse ta mbyllnim vitin me 10 përqind, dhe do të kishim ecur kështu nëse nuk do të kishte shpërthyer kriza, shqipëria rezistoi gjatë këtyre viteve me një ecje mbi 3 përqind shumë më lartë se vendet e rajonit. Dhe në vitin 2012 që pllakosi kriza në Greqi ne prapë vazhduam të ecim përpara, e rritëm prodhimin, dhe vazhduam me investime me rritje rrogash dhe pensionesh”- tha Imami. Ai përsëriti edhe një herë premtimin e kryeministrit për rritjen e rrogës së mësuesit në 700 dollarë. “Ky është model zhvillimi”, tha ai. Ndërsa programin e Ramës, Imami e cilësoi si rrugën e bllokimit të ekonomisë shqiptare. “Për ne është çështja si të ecim sa më mirë, sa më shpejt përpara drejt zhvillimit, drejt europës drejt integrimit”- deklaroi më tej z.Imami.