Imami: PD do shënojë një fitore historike në qarkun e Elbasanit
Elbasan, ministri Imami takime me banorë të komunave të zonës së Belshit në Rrasë, Fierzë, Kajan dhe Shalë: Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan, një investim madhor me perspektivë zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit
Kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit z. Arben Imami i shoqëruar nga deputeti i zonës, z. Ardian Turku zhvilloi ditën e diel takime entuziaste me banorët e komunave të zonës së Belshit në Rrasë, Fierzë, Kajan dhe Shalë. Takimet u zhvilluan në kuadër të turit që zoti Imami po zhvillon në të gjitha komunat e Qarkut të Elbasanit për të komunikuar hapur me banorët dhe për tu njohur nga afër me problematikat e këtyre zonave.
Deputeti Imami u shpreh në takime me banorët se ndryshimet në këto komuna janë të mëdha krahasuar me vitin 2005. Si pasojë e investimeve të qeverisë shqiptare janë restauruar ose shtruar nga fillimi shumica e rrugëve rurale, janë ndërtuar shkolla të reja, qendra shëndetësore. Një hop i madh zhvillimor është shënuar në bujqësi ku ka rritje të ndjeshme të prodhimit, shtim të sipërfaqeve të punuara nga fermerët, sera të reja dhe sipërfaqe të mbjella me pemëtari.
Z. Imami u shpreh në takime se para katër viteve prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare ishte ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan, një investim madhor i cili do të hapë perspektiva të reja për zonën e Elbasanit si në fushën e bujqësisë, të turizmit dhe në shumë drejtime të tjera. Imami tha se qëllimi i këtyre takimeve ishte njohja me problemet konkrete të zonës dhe reflektimi i këtyre problemeve në programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme. “Partia Demokratike ka realizuar më së shumti premtimet pasi Qarku i Elbasanit ka realizuar masën më të madhe të infrastrukturës, por ka ende rrugë ku duhet investuar. Për qytetarët rruga është zhvillim. Nëse para 8- vjetëve nuk arrinim dot të hynim në fshatra, sot fshati ka evoluar. Ne do të bëjmë të pamundurën që infrastruktura në fshatrat e Elbasanit të përmbyllet përfundimisht, do të rrisim iniciativat për rritjen e prodhimit bujqësor dhe hapjen e mundësive të reja për të afruar prodhimin me tregun,” u shpreh Imami.
Banorët e këtyre komunave janë shprehur mirënjohës për punën e bërë nga qeveria shqiptare gjatë tetë viteve të fundit ndërsa kanë shtruar për zgjidhje edhe probleme të tjera që do të reflektohen në programin e Partisë Demokratike.
Pas takimeve në komuna, Kryetari i Grupit të Punës së Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, mblodhi në Elbasan aktivin e zgjeruar të Partisë Demokratike. Gjatë kësaj mbledhje zoti Imami foli për entuziazmin që vihet re në çdo komunë dhe fshat për fitoren e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit. Gjatë aktivit të Partisë u reflektua mobilizimi i gjithanshëm i strukturave të PD-së për të shënuar një fitore historike në Qarkun e Elbasanit.