E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS s’ka program - idetë e shprehura, të përgatitura nga joprofesionistë”

18-03-2013 / Gazeta 55

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili: “Rama tregoi mungesë të edukatës qytetare në Bulqizë – votimi i 16 vjeçarëve, nismë e realizueshme”

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaron se PS s’ka ende një program të mirëfilltë, ndërsa idetë e shprehura, sipas tij janë të përgatitura në mënyrë amatoreske nga joprofesionistë. Për Vasilin, shëndetësia është pjesa e programit të socialistëve që e bind më pak. Ai vlerëson se, mungon thellimi dhe se modeli falas i propozuar nga Partia Socialiste, po dështon edhe në ato pak vende ku është aplikuar. “Duhet të pranojmë që s’ka program pasi vetë PS thotë që është duke e përgatitur atë. Deri më tani kemi propozime empirike amatoreske konstatuese. Gjëkundi nuk gjenden hartuesit e programit, këtu nuk ka program, s’ka ide riprodhohen modele që aplikohen në shumë pak vende, të cilat janë në krizë”, u shpreh Vasili.
Ndërsa duke iu referuar incidentit mes socialistëve dhe kryetarit Rama në Bulqizë, Vasili shprehu keqardhjen për atë që e cilësoi “mungesë të edukatës qytetare”.
“Sigurisht që nuk kam asnjë koment nga pikëpamja politike, për mënyrën se si organizohet një forum politik është në të drejtën e tij, idetë që diskutohen janë në të drejtën e çdo force politike. Sigurisht kam një keqardhje për elementet e edukatës qytetare të cilat u reflektuan në atë takim sepse besoj që këto elemente të edukatës qytetare janë pronë e të gjithë publikut dhe ndërkohë që punohet fort me misionin për të ndërtuat një politik të mirë dhe me etikë të ndryshme, një etikë e nivelit të tillë të ulët krijon dëshpërim”, tha nënkryetari i LSI-së.
Vasili këmbënguli se politika duhet të lërë mënjanë përçarjet në emër të integrimit.
“Dita e zgjedhjeve nuk duhet të lidhet me 3 ligjet”, tha numri dy i LSI-së.
“Jemi këtu përpara jush duke ripërcjellë për të disatën herë shqetësimin tonë madhor lidhur me problematikat e integrimit evropian. Përpara Shqipërisë dhe politikës shqiptare ekziston një detyrë, e cila duhej përmbushur me kohë, ajo e miratimit të tri ligjeve përkatëse, por ne konstatojmë me keqardhje të madhe që kjo detyrë jo vetëm që kanë ngelur në periferi të politikës por gjithashtu ajo po përdoret rëndom si një mundësi dhe instrument i betejës politike. Nuk do të thotë aspak se më 23 qershor kemi një ditë të madhe larjesh hesapesh me njëri-tjetrin por kemi thjesht dhe vetëm një mundësi që qytetarët me votën e tyre të shprehen për ata që i bindin më shumë dhe që pranojnë t’i qeverisin dhe për të tjerët të cilëve u vënë detyrën për të bërë opozitë. Nuk mundet kurrsesi që integrimi të lidhet me këtë datë, do të ishte një gabim i rëndë dhe historik për politikën shqiptare, sepse në fund të fundit integrimi kërkon në vetvete gjithmonë dialog dhe komunikim politik. Nuk do të thotë 23 qershori të riprodhojmë atë fenomenin që opozita, cilado qoftë ajo, të përsëri një taktikë bllokimi dhe pengimi procesi por e kundërta duhet të ndodhë, dialogu duhet të vazhdojë. Në fund të fundit apeli i vetëm që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian është dialogu dhe vetëm dialogu”, u shpreh Vasili.
Sipas tij, votimi i ligjeve për integrimin nuk është tjetër veçse përmbushja e një detyre shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces, por do të thotë para së gjithash ndërtimin e një filozofie të re komunikimi në politikën shqiptare, thënë më thjesht ndarje nga provincializmi i moskomunikimit dhe i llogoreve ndaj të cilave palët nuk dalin dhe krijimi i asaj klime bashkëpunimi të cilët të gjithë politikanët shqiptarë e përcjellin në mediat e huaja kur shikojnë sivëllezërit e tyre politikanë në Evropë dhe në botë, të cilët ulen dialogojnë dhe bashkëpunojnë.
“Pra votimi i këtyre ligjeve do të thotë ndarja një herë e përgjithmonë nga kjo filozofi lufte dhe mosbashkëpunimi. Pra shkon më tej se sa thjesht dhe vetëm votimi i tri ligjeve, do të rindërtim, një filozofi e re e mënyrës së bërjes politikë në Shqipëri”, theksoi ai. Ndërkaq, ndarjet e politikës mbi votimin e 16-vjeçarëve, Vasili i quajti thjeshtë çështje vullneti. Kjo pasi, sipas tij, realizimi i një nisme të tillë është krejtësisht i mundur.
“Për sa i takon përfshirjes në vendimmarrje të kësaj kategorie moshe përgjigje LSI-ia i ka dhënë kohë më parë duke i bërë pjesë të anëtarësisë së saj, duke u krijuar mundësinë e anëtarësimit që në moshën 16 vjeç, e kësisoj të jenë pjesë edhe e garave elektorale brenda partisë. Pra ne i kemi përfshirë ata në vendimmarrje. Kështu që opinioni ynë është i palëkundur. Jemi të kënaqur që edhe Berisha ka përqafuar një ide të tillë duke i dhënë një dimension tjetër, për t’i dhënë mundësi për të votuar. Njëkohësisht do të thosha se nuk e kuptoj do hezitimin e të tjerëve se në rast se kemi qoftë edhe një shtet të vetëm që është Austria, me një traditë historike perandorake, me një të kaluar aristokratike, me një funksionim të shtetit ligjor thuajse nga më perfektët në Evropë, e ka pjesë të procesit të tyre. Pse duhet të kishte hezitim Shqipëria këtu? Kështu që përgjigjja jonë është që ky proces mund të ecë përpara nëse dëshirë. Ne kemi prova spektakolare të mirëkuptimit edhe për 60 minuta ku ¾ e Kushtetutës së vendit janë ndryshuar. Besoj ndryshimi i një neni të tillë nuk do të kërkonte më shumë se sa 5 minuta”, tha më tej Vasili.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›