E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Rama e Meta akoma nuk kanë vendosur kush do të jetë kryeministër

ELBASAN- Në ditën e parë të çeljes zyrtare të fushatës elektorale, kryesuesi i zgjedhjeve të PD-së në qarkun e Elbasanit, Arben Imami, tha se këto zgjedhje sjellin bashkë edhe përgjegjësinë për të zgjedhur më të mirën. 

Gjatë një takimi me banorë të rajoni numër 2 dhe 3, në Elbasan, ku edhe prezantoi kandidatin për deputet të PD-së, Aurel Bylykbashi, Imami u shpreh se alternativa e PS-së, megjithëse e kanë quajtur koalicioni për integrim, është koalicion i izolimit të Shqipërisë. Imami tha se Rama dhe Meta ende nuk e kanë vendosur se kush do të jetë kryeministër. 

“Për vite me rradhë PS ka bërë përpjekje të ndalë integrimin e këtij vendi.Ky është modeli i tyre dhe model të cilit i duhet thënë jo. Modeli tjetër është modeli i punës, i qëndrueshmërisë ekonomike, dhe stabilitetit politik të vendit. Lufta e brendshme në PS, LSI, nuk ka akoma të qartë për t’i thënë qytetarëve se kush është kryeministri i vendit është Rama, apo Meta. Nuk ka mundësi që një vend në kushtet e destabilitetit politik të ecë mirë ekonomikisht, aq më tepër në kontekstin e një krize ekonomike që ka pushtuar të gjithë europën jugore, ndërkohë që ne kemi treguar qëndrueshmëri politike, kemi pasur një parti, një grup parlamentar të cilët së bashku në harmoni dhe unitet, me të gjithë lirinë për të marrë vendimet e sejcilit ecëm për tetë vjet për ta cuar këtë vend nga një shkallë në një shkallë tjetër të zhvillimi”, tha Imami. 

Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm, nën qeverisjen e PD-së, Elbasani do të ketë rritje të punësimit dhe investimeve, për shkak edhe të rrugës me tunel Elbasan -Tiranë. Investimi i tre Hec-eve në kaskadën e Devollit, sipas Imamit, do të bëjë që vetëm në këtë vepër të hapen 5000 vende të reja pune.

Imami premtoi gjithashtu se Elbasani do të shndërrohet në një pikë të arsimit profesional. "Ne do të përpiqemi që shkollat e larta jo universitare të formimit profesional t’i zhvillojmë edhe më tej. Investimi i madh shumë milionesh që ka bërë Qeveria shqiptare është edhe spitali i ri Obstetrik-Gjinekologjik në Elbasan”, përfundoi ai.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›