E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami i Shkodrës: Frymë islamofobike, por nuk do të ndikohemi nga filmi

SHKODRA - “Ne jemi për gjuhën e tolerancës, mirëkuptimit, bashkëjetesës. Sensibilizimi ynë në këtë atmosferë është dhurimi i gjakut për fëmijët talasemikë”. Kështu është shprehur Myftiu i Shkodrës, Haxhi Muhamed Sytari, i cili ka qenë ndër besimtarët myslimanë që kanë dhuruar gjak për ata që kishin nevojë.

Myftinia e Shkodrës ka gjetur dhurimin e gjakut për të sensibilizuar opinionin, ndërkohë që sipas Myftiut të Shkodrës, islamofobia po përhapet gjithandej në vende të ndryshme të botës. “Nga mënyra e frymës islamofobike kuptojmë që ne jemi në rrugë të mbarë, duke rikonfirmuar edhe një herë, se myslimanët shqiptarë nuk do të ndikohen nga ky film, por do të ecin në rrugën e drejtë që u mëson besimi i tyre”, - ka pohuar Myftiu i Shkodrës.

Myftiu Sytari u bëri thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë të Shkodrës, që të dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë. Ndërsa ka folur për gjurmët e islamofobisë, që po përhapet gjithandej në vende të ndryshme të botës, ai ka përmendur edhe Francën, ku u ka kujtuar besimtarëve, se kur kalifi i drejtë Harun Reshidi i dhuronte mbretit të Francës një orë me ujë, të shpikur nga myslimanët, sharlamani frikësohej prej saj duke menduar se në brendësi të saj kishte një xhind. ”Kësisoj edhe sot, ata që tentojnë të tallen e të fyejnë personalitetin e Resulull-llahit, në të vërtetë vërtetojnë se akoma kanë mbetur në epokën e injorancës, femohimit dhe shthurjes intelektuale”, - ka pohuar Myftiu.

Ai i ka nxitur myslimanët e Shkodrës që të dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë, duke u kujtuar atyre porositë e Kuranit: “Kush shpëton një njeri është si të ketë shpëtuar tërë njerëzimin”. Dhurimi i gjakut nga besimtarët myslimanë ka vazhduar prej dy ditësh. Një ekip mjekësh është duke ndjekur nga afër këtë proces. E rëndësishme është që numri i dhuruesve të gjakut është i lartë. Sytari ishte i pari që dhuroi gjak në ndihmë të këtyre fëmijëve dhe tha se “duhet të mendojmë për ta si të ishin persona të familjes sonë”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Lidhja e Hoxhallarëve: Dënojmë filmin anti-islam dhe dhunën ndaj SHBA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›