E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit nisin grevë urie: Po na tallin

TIRANE - Ish-të përndjekurit politikë nisën mbrëmë një grevë urie e cila pritet të zgjasë, për shkak se qeveria nuk mbajti premtimet për dëmshpërblimin e viteve të tyre të burgut. Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, njoftuan se në datën 25 shtator do të futen në grevë urie, pasi me vendim të qeverisë u ndryshuan ligjet e Kushtetutës dhe se dëmshpërblimi është shtyrë sërish pa një afat kohor. Në fakt greva nisi që mbrëmë. Sipas ish-të përndjekurve politikë, gjendja aktuale e tyre është tepër e rëndë, ndërsa dëmshpërblimi u shty për një afat të pacaktuar. Ata theksojnë se gjithçka ndodhi për shkak të tjetërsimit të ligjeve që qeveria bëri në kundërshtim me Kushtetutën. Anëtarët e shoqatës së të burgosurve politikë, me seli pranë godinës së parlamentit, shprehën shqetësimin se trajtimi që ka pasur këto 21 vite kjo shtresë e shoqërisë është më keq se ai që ka pasur para 21 vitesh. 

“Të detyruar nga gjendja në të cilën ndodhemi iu drejtuam qeverisë me një deklaratë-peticion dhe si përgjigje kishim heshtjen. Ne, të burgosurit politikë, sjelljes arrogante e indiferente i përgjigjemi në mënyrë demokratike”,- deklaroi dje në një prononcim për median, kryetari i shoqatës së të përndjekurve, Skënder Tufa. Një nga premtimet me të cilën kryeministri Berisha mori qeverinë ishte dhe kompensimi i të përndjekurve. Por kjo shtresë ndjehet e zhgënjyer nga trajtimi i saj. 
“Partia në pushtet ka abuzuar me të burgosurit politikë, duke përfituar financiarisht e politikisht. Ajo keqpërdori plagët tona dhe më pas i përdhosi dhe i keqtrajtoi dhunshëm, fakt që dëshmon se qeveritarët e sotëm janë zbatuesit e vendimeve të Katovicës ose hija më e keqe e diktaturës komuniste”, u shpreh z.Tufa.
Sipas kësaj shoqate, një vendim i Këshillit të Ministrave që mban datën 14. 5 2011, sfumon ligjin e Parlamentit, dhe dëmshpërblimi i tyre është shtyrë për një afat të pacaktuar. 

Në emër të ish-të përndjekurve, z.Tufa përmendi se “Ligjet e dala nga Parlamenti në kundërshtim flagrant me Kushtetutën janë tjetërsuar nga VKM-të e qeverisë. Si rezultat, nuk është zbatuar ligji nr. 9381, neni 32, sepse VKM 419, neni 4, sfumon dhe e çon dëmshpërblimin në afat të papërcaktuar, duke mos llogaritur humbjet e ndryshme nga inflacioni apo % e bankës”. Ai bëri të ditur, se greva e urisë është caktuar të zhvillohet në godinën e të burgosurve politikë e vendosur para godinës së parlamentit. 

“Do të jetë një numër i kufizuar. Nuk do të jetë për shoë, por për t’i kujtuar qeverisë gjendjen aktuale ku ndodhen, dhe trajtimin që kanë pasur prej 21 vjetësh dhe që është më keq se ai i para 21 viteve”, - deklaroi z.Tufa. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›