E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentet vaskulare, Petrela: Çdo vit preken rreth 4 - 5 mijë persona

TIRANE - Rreth 4-5 mijë janë personat që preken në një vit nga aksidentet vaskulare, ndërkohë që edhe vdekshmëria tek këto raste është tepër e lartë. Rreth 25 për qind e personave që preken nga këto lloj sëmundjesh nuk arrijnë të mbijetojnë. Shifrat janë bërë publike nga shefi i Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Mentor Petrela.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës së shoqatës së neurologëve shqiptarë, ndërsa kryefjala e saj ishte telemjekësia. Kjo metodë e re, që tashmë është futur pjesërisht në vendin tonë do të bëjë të mundur që specialistët jashtë vendin të njihen në kohë reale me diagnozën e një të prekuri nga aksidentet vaskulare e në këtë mënyrë të japin edhe ndihmën e nevojshme. "Janë rreth 4-5 mijë aksidente vaskulare, që shkaktojnë dhe një vdekshmëri të lartë. Pra, llogaritet që 25 për qind e tyre janë vdekshmëri. Natyrisht që prishet edhe kualiteti i jetës. Faktorët e stilit të jetës siç janë hipertensioni që lidhet me kripën me mbipeshën, diabeti, duhani, janë të gjithë faktorë që të çojnë në aksidente vaskulare cerebrale dhe kardiake", - u shpreh Petrela.

Gjithashtu, specialisti i neurologjisë i tërheq vëmendjen gjithë qytetarëve që të diagnostikohen në kohë pasi infrastruktura që ofrojnë spitalet tona i plotëson të gjitha parametrat e kohës. "Sot infrastruktura për të diagnostikuar është e plotë në të gjithë territorin. Vetëm në QSUT sot ka 6 skanera, nga të cilët 2-3 janë të gjeneratës së fundit, dy rezonanca dhe tre angiografë që është mesatarja europiane e një qendre spitalore",- deklaroi Petrela.

Gjatë zhvillimit të konferencës mjekët shprehën mendime rreth trajtimeve më të fundit dhe barnave më të reja që duhet të përdoren në vendin tonë për trajtimin e pacientëve që pësojnë aksidente vaskulare cerebrale. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›