E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami në Elbasan, takim me ish- të përndjekurit politik

TIRANË- Arben Imami, deputet dhe njëkohësisht kryetar i grupit të punës së PD në qarkun e Elbasanit, zhvilloi pasditen e djeshme një takim me ish- të përndjekurit politikë në këtë qytet. 

Imami në fjalën e tij tha se "sot më tepër se çdo ditë tjetër, ne jemi në qendër të një sulmi, një revanshi, i cili nuk ka qëllim tjetër veçse të destabilizojë vendin. Lufta për stabilitet, zhvillim, përparim dhe për integrim në këtë vend, është një luftë që kërkon përpjekjet e çdo qytetari e sigurisht edhe të partive politike dhe të çdo organizmi tjetër social”. 

Në takim me ish- të përndjekurit politik të Elbasanit, Imami theksoi se "për vite me radhë Edi Rama provoi gjithçka për bllokimin e integrimit të vendit, duke vënë interesin personal mbi atë kombëtar, me grevë urie, me bojkotim, me 21 janar, me mos votim të 3 ligjeve, por akti i fundit destabilizues, që nuk do t’ia arrijë qëllimit, ashtu siç nuk ia ka arritur në këto 8 vjet, është shkatërrimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Sipas tij, dorëheqja e 2 anëtarëve të këtij Komisioni, të cilët ishin përfaqësues të propozuar nga Partia Socialiste, tregon se ata kanë ikur në grup si përfaqësues të PS për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri në 23 qershor. 

Në fjalën e tij Imami theksoi se “zgjedhjet që vijnë janë shumë të rëndësishme sepse do të përcaktojnë fatin e këtij vendi dhe këtu nuk flasim vetëm për fatin e integrimit. Le të përpiqemi bashkë për ta bërë më të mirë këtë vend për vete, për fëmijët, për nipërit dhe mbesat tona dhe për gjithsecilin”.
(e.m/ata/abalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›