E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami prezanton në Bruksel arritjet në procesin e demontimit të municioneve

BRUKSEL - Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ishte i ftuar në një takim të organizuar prej Këshillit të Partneritetit Euroatlantik, në selinë e NATO-s në Bruksel, për të paraqitur rezultatet e arritura nga Shqipëria në procesin e demontimit të municioneve të tepërta.

Në këtë takim, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, merrnin pjesë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.

Në fjalën që mbajti në takim, ministri i Mbrojtjes Imami falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen për mundësinë e ofruar për të paraqitur dhe prezantuar në selinë e Aleancës një nga eksperiencat më domethënëse për Forcat e Armatosura Shqiptare: proçesin e demilitarizimit.

“Sikuse ju e dini FA Shqiptare për shkak të Luftës së Ftohtë kishin trashëguar një strukturë që kishte tejkaluar kapacitetet dhe misionin e saj. Numri i njësive të pronave, armëve, paisjeve dhe fuqisë punëtore që i përkasin FASH jo vetëm që ishte krejtësisht i paefektshëm, por përkundrazi ishte i dëmshëm për ndërtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura. Për këtë arsye, sidomos pas partneritetit në NATO, Forcave tona të Armatosura u nevojitej një transformim komplet tjetër për t’iu përshtatur Aleancës, të trajnuar dhe të pajisur mirë, si dhe forca të dislokueshme dhe ndërvepruese”, është shprehur ministri Imami.

Ai ka nënvizuar se, pas marrjes së detyrës si ministër i Mbrojtjes në vitin 2009, objektivi i parë dhe i panegociueshëm ishte shkatërrimi i 100 mijë tonëve municione të tepërta dhe që Shqipëria, si një shtet anëtar i NATO-s, duhet të ofronte siguri për rajonin. Nuk duhet të kishte vënd për aksidente, humbje jetësh apo turbullira të çfarëdo lloji për stabilitetin.

Përveç kësaj, tha Imami, ishte shumë e qartë për mua si ministër që Forcat e Armatosura duhet të ishin të lira nga e kaluara e errët për të qenë të aftë në përqëndrimin e planit strategjik, trajnimeve dhe ushtrimeve për të plotësuar misionin e tyre.

Më pas, ministri Imami është ndalur në Planin e Veprimit për demilitarizimin shumëvjeçarë dhe objektivat e këtij plani si: klasifikimi i municioneve sipas rrezikshmërisë së tyre; shkatërrimi dhe evakuimi i municioneve, fillimisht më të vjetra dhe të kalbura; boshatisja e depove në afërsi të zonave të banuara; përqëndrimi i municioneve të mbetura në gjendje të mirë, në depo; siguria që shpërthimet të kryeshin në vende të hapura dhe të izoluara nga zonat e banuara; mbrojtja e ambjentit; sigurimi i një transparence të plotë ndaj opinionit publik etj.

“Duke kuptuar rëndësinë e këtij procesi ne ngritëm një Bord Drejtues, i kryesuar nga zëvendësministri me autoritet të plotë administrativ, që të merrej vetëm me procesin e demilitarizimit. Të tre fabrikat e demontimit u përshtatën sipas standardeve për të kryer demilitarizimin industrial të disa elementëve mbështetëse dhe trupave inxhinierike me një personel rreth 800 punonjësish të përfshirë në këtë proçes të suksesshëm…Deri në shtator të vitit 2009 kemi demilitarizuar 2 300 ton, në fund të vitit sasia e municioneve të demilitarizuar ishte 6 500 ton, ndërsa në 2010 arriti 20 600 ton”, ka deklaruar z. Imami.

Me herët, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pati një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Rasmussen. Sekretari Rasmussen vlerësoi kontributin e Shqipërisë, tashmë si një vend anëtar i NATO-s, veçanërisht në Afganistan. Ai vlerësoi maksimalisht punën 4 vjeçare që është bërë lidhur me transformimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura, duke marrë parasysh, tha ai, sfidat tepër të veçanta nëpër të cilat ka kaluar Shqipëria për shkak të së kaluarës së saj.

Ministri Imami e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për vendosmërinë e Shpipërisë për të kontribuar edhe në post 2014 në Afganistan, përmes edhe eksperiencës së fituar prej OMLT dhe misioneve të tjera. Ai siguroi edhe për mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare për ngritjen dhe forcimin e Forcave të Sigurisë Afgane.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›