E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami prezanton në Librazhd Eduard Selamin si kandidat të PD

TIRANË- Kryetari i Grupit të Punës për qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, prezantoi sot në qytetin e Librazhdit, kandidatin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 23 qershorit, Eduard Selami, një ndër themeluesit e PD-së. 

"Jam i bindur se do të kemi një fitore të madhe të PD-së në Librazhd e në të gjithë vendin", tha Imami, ndërsa vlerësoi punën e shkëlqyer që është bërë në këtë qark në zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Duke folur për investimet në Qarkun e Elbasanit, Imami tha se vetëm në Librazhd janë investuar mbi 50 milion euro, ndërsa në Qarkun e Elbasanit në total janë shtruar mbi 1 mijë km rrugë. "Për këtë qark dhe për këtë rreth në veçanti është investuar në shkolla, qendra shëndetësore, rrugë sisteme uji etj. Pa përmendur rrugën Elbasan –Tiranë, që shkurton shumë distancën me Tiranën", tha ai.

Imami nuk la pa përmendur edhe punimet për kaskadën e Devollit që do të fillojnë të hënën duke cilësuar se, ky investim do të krijojë rreth 5 mijë vende pune të reja për banorët e zonave përreth.

Ndërsa Eduard Selami tha se, një votë për Partinë Demokratike do të jetë një votë për të ardhmen e Librazhdit dhe Shqipërisë.

"Ne asnjëherë nuk e kemi shkëputur interesin e partisë nga interesi i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria sot është futur në një rrugë shumë të mbarë, por është akoma në një moment të rëndësishëm për të bërë një hap akoma edhe më të madh për anëtarësimin e plotë në BE", tha ai.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›