E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami replikon me homologun serb rreth Kosovës

Debati në takimin e Manastirit, ku mungoi Prishtina

Në një takim të zhvilluar në Maqedoni, ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe të Serbisë kanë replikuar ashpër. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Drashko Jovanoviç, ka thënë se vendi i tij do ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës. “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me rëndësi është që Serbia të shfrytëzojë mjetet politike dhe juridike që të mbrojë sovranitetin e saj. Me rëndësi është që këtë çështje ta vendosin në tavolinë dhe të bisedojmë për të”, u shpreh ministri serb. Jovanoviç i bëri këto komente në konferencën kushtuar NATO-s dhe integrimit të shteteve të Europës Juglindore, që u mbajt në qytetin e Manastirit në Maqedoni. Por, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami, tha se pavarësia e Kosovës është realitet dhe ajo duhet të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. “Mendoj se qëndrimi ynë është i qartë, nuk ka gjasa që Kosova të mbetet jashtë integrimeve euroatlantike. Shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur. Republika e Kosovës është realitet dhe kjo duhet të merret në konsideratë. Perspektiva e këtij vendi të ri të rajonit është e lidhur me integrimin euroatlantik”, deklaroi Arben Imami. Në këtë konferencë nuk ishte e ftuar Kosova.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›