E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura me tri harqe çelet me një ekspozitë

Ekspozita

Në ambientet e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë u çel dje me një ekspozitë veprimtaria e titulluar “Ura me tri harqe”, ku marrin pjesë Akademia e Arteve të Bukura Tiranë, Fakulteti i Arteve Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve Tetovë. Me anë të kësaj ekspozite, ku marrin pjesë artistë të rinj, studentë të këtyre tri fakulteteve të arteve pamore me punët e tyre më të mira, do të inaugurohet edicioni i dytë i kësaj veprimtarie të përbashkët, që për herë të parë zhvendoset në Tiranë. Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës, e cila është vendosur në Galerinë FAP të AA-së, tregon se bëhet fjalë për përmbledhjen e punëve më të mira të studentëve përgjatë një viti. “Ekspozita nuk ka një temë të caktuar, por është ndërtuar në bazë të punëve të përzgjedhura nga kuratorët e caktuar të shkollave përkatëse. Kuratori i Tetovës është Agron Avduli, i Prishtinës Naime Kelmendi dhe unë. Në 60 punime që janë ekspozuar në ambientet e FAP gjenden piktura, vizatime, grafika, instilacione, skulptura. Videot që janë gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite do të shfaqen sot te salla ‘Black Box’”, vijon kuratori. Sipas tij, pika e takimit mes këtyre studentëve që vijnë nga Tirana, Prishtina e Tetova, është mbi të gjitha fakti se janë shqiptarë e se flasin të njëjtën gjuhë. Ata janë studentë mjaft aktivë në fakultetet përkatëse dhe gjithsecili vjen me prurjen e vet më të mirë. “Tendenca është për një frymë sa më bashkëkohore e koherente me zhvillimet sociale. Ekspozita do të qëndrojë hapur për rreth një javë. Nëse “Ura me tri harqe” vazhdon kështu, do të jetë një frymë shumë e mirë bashkëpunimi mes këtyre shkollave shqipfolëse, që një herë në vit sjellin vlerat më të mira në përballje me njëra-tjetrën, duke na orientuar edhe se si po ecin prurjet më të reja të artit shqiptar”, shton më tej Hoxha, duke e konsideruar këtë veprimtari që do të zgjasë për tri ditë si një shpërthim të vlerave më të mira të këtyre studentëve që vijnë nga fakultetet e ndryshme të arteve.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›