E Diel, 1 Nëntor 2026

Imazhi i SHBA-së mbetet pozitiv

Në qershor të vitit 2009, presidenti amerikan, Barack Obama, kishte vizituar kryeqendrën e Egjiptit, në një përpjekje për të zbutur ndasitë ndërmjet botës myslimane dhe Perëndimit.

Një vit pas, qëndrimi më i favorshëm në mesin e vendeve myslimane ndaj SHBA-së është shkrirë.

Ky është rezultati i hulumtimit të Qendrës hulumtuese "Pew", me seli në Shtetet e Bashkuara, që është bërë në 22 vende të botës dhe me anketimin e 25 mijë personave.

Presidenti i kësaj qendre hulumtuese, Endrju Kohut, thotë: “Gjatë vitit të kaluar opinioni në vendet myslimane është bërë më kritik ndaj presidentit Obama. Animoziteti ndaj Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë i qëndrueshëm në Turqi dhe Pakistan, për shembull, ku vetëm 17 për qind e popullatës kanë qëndrim pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Në vendet me shumicë myslimane, qëndrimi më pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara është në Indonezi, ku Obama ka kaluar disa vite si fëmijë.

Trend tjetër i dëshmuar nga anketimi ka qenë kërkesa për tërheqje nga Afganistani.

Megjithatë, jashtë vendeve me shumicë myslimane, popullariteti i presidentit Obama mbetet i lartë.

Në Gjermani 90 për qind e të anketuarve kanë shfaqur besim për Obamën, në Japoni 76 dhe në Nigeri 84 për qind.

Hulumtimi ka dëshmuar gjithashtu se presidenti Obama është më i popullarizuar jashtë Shteteve të Bashkuara, ku përqindja e mbështetjes është 44 për qind.

Endrju Kohut, lidhur me këtë temë, thotë: “Presidenti Obama mbetet shumë i popullarizuar në pjesën më të madhe të botës, me gjithë faktin që mbështetja për të ka shënuar rënie të konsiderueshme në Shtetet e Bashkuara. Nga kjo rrethanë përfiton edhe imazhi i Shteteve të Bashkuara. Qëndrimi ndaj Shteteve të Bashkuara në vitin 2010 është shumë më pozitiv se në vitet e ish-presidentit Bush”.

Ky qëndrim pozitiv është shtrirë edhe në Rusi, ku qëndrimi mbështetës për Shtetet e Bashkuara është ngritur nga 13 në 57 për qind.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, thotë se këtë ndryshim të qëndrimit në Rusi ndaj Shteteve të Bashkuara duhet kërkuar tek angazhimi i presidentit Obama për përmirësim të raporteve me Moskën.

“Shkalla më e favorshme e disponimit ndaj Shteteve të Bashkuara është me rëndësi, jo vetëm pse ne duam të jemi të pëlqyer, por për faktin që do të jemi të aftë për t'i përmbushur politikat që janë të mira për popullin amerikan në botën e globalizuar”, tha Albright.

Një aspekt tjetër që është dëshmuar nga anketimi, qëndron në faktin se ekziston një front global kundër ambicieve bërthamore të Iranit.

“Shumica gati në të gjitha vendet, duke përfshirë edhe vendet me shumicë myslimane, kundërshtojnë një Iran të armatosur me kapacitetet bërthamore. Ka një mbështetje të gjerë për sanksionet ekonomike dhe mbështetje të konsiderueshme për përdorimin e forcës ushtarake për të influencuar Iranin", theksoi Kohut.

Anketa, po ashtu, ka dëshmuar “vetëm mbështetje të kufizuar” për terrorizmin në mesin e popullatës myslimane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›