E Shtunë, 31 Tetor 2026

PKK vret 8 ushtarë turqë

Separatistët kurdë kanë vrarë tetë ushtarë turq, pas një sulmi të ndërmarrë pranë kufirit me Irakun.

Ushtria turke tha se 12 kryengritës nga radhët e partisë së ndaluar, PKK, janë vrarë gjithashtu gjatë këtyre luftimeve.

Aeroplanët luftarakë të Turqisë bombarduan disa pozicione në pjesën veriore të Irakut, ku separatistët kanë bazat e tyre.

Forcat ushtarake të Turqisë, sipas të dhënave të veta, kanë vrarë qysh prej marsit më shumë se 130 kryengritës nga radhët e PKK-së.

Vetëm gjatë një operacioni kundër luftëtarëve të fshehur të PKK-së në veri të Irakut janë vrarë rreth 100 kryengritës, bën të ditur një gjeneral në Ankara.

Gjatë luftimeve janë vrarë edhe 43 ushtarë turq. Rebelët kurdë kanë ashpërsuar sulmet e tyre në Turqi gjatë muajve të kaluar.

Ushtria turke bombardoi objektet e rebelëve në Irakun verior, të cilat PKK i përdor si baza për tërheqje.

Siç dihet, ushtria turke ka intensifikuar gjithashtu sulmet ajrore kundër bazave të PKK-së në veri të Irakut, e herë pas here ajo ndërmerr edhe ofensiva tokësore, duke e kaluar kufirin, për të parandaluar veprimtaritë dhe sulmet e kryengritësve në territorin e Turqisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›