E Diel, 1 Nëntor 2026

Implikimi, Deklan Ganley lobing për qeverinë shqiptare në vitin 1997

Bosi i Anglo-Adriatikas pajtoi deputetin irlandez. Ryshfetet u zbuluan gjatë një gjyqi në Irlandë

Habjon Hasani
Në shtator të vitit 2007, në një gjyq të zhvilluar në Irlandë, duket se kanë dalë dhe “të palarat” mes bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe krerëve të kompanisë “Anglo-Adriatika”. Gjyqi i zhvilluar disa muaj më parë ka nxjerrë në pah një linjë bashkëpunimit mes qeverisë “Meksi” dhe kreut të “Ganley Group”, Declan Ganley, ndërsa ky i fundit kishte hyrë si ndërmjetës për të paguar disa deputetë irlandezë që të ndihmonin qeverinë shqiptare për të shmangur rënien e skemave piramidale. Nga raportimet e mediave irlandeze zbulohet se vetë Deklan Ganley ka deklaruar para gjykatësve se ai ka sjellë në Shqipëri deputetin Liam Laulor, ndërsa ky i fundit është paguar asokohe rreth 340 mijë dollarë nga qeveria shqiptare. Por interesimi i gjykatësve të kësaj çështjeje ka qenë lidhur me një tjetër deputet irlandez të quajtur Frank Dunlop, i cili mendohej se kishte favorizuar një kompani irlandeze në këmbim të ndihmës dhe asistencës që do t’i ofrohej qeverisë shqiptare. Megjithatë, ndërsa kreu i Anglo-Adriatikas ka pranuar implikimin e deputetit Liam Laulor, ka bërë të paditurin lidhur me implikimin e deputetit tjetër, i cili mendohet se ka favorizuar duke rritur aksionet e kompanisë “VAT” si pasojë e paktit me qeverinë shqiptare. Gjyqi i zhvilluar në shtator të vitit 2007 në Irlandë duket se përforcon idenë se qeveritarë të kohës në pragtrazirat e vitit 1997 kanë favorizuar në mënyrë të kundërligjshme krerët e kompanisë “Anglo-Adriatika”, ndërsa vetë kjo kompani ka deklaruar si pronë të sajën 45 mijë aksionet e shqiptarëve të mbledhura në letër me vlerë, të cilat arrinin asokohe vlerën e 120 milionë dollarëve. Është pikërisht ky gjyq që hedh dritë mbi lidhjet e zyrtarëve shqiptarë të kohës me drejtuesit e kësaj kompanie, e cila me shumë gjasa ka përdorur pasurinë e 45 mijë shqiptarëve duke blerë prona marramendëse në vendet e tjera.
Autorët
Donald de Marino, që ishte një prej përfaqësuesve në vendin tonë, krijoi Fondin në vitin 1994, ku ishte i ftuar nga vetë qeveria. Qeveria e Meksit bëri një marrëveshje, ku përcaktohej se Fondi do të grumbullonte letrat me vlerë dhe do t’i fuste në privatizim, ndërkohë që “Anglo-Adriatika” mori licencën për të grumbulluar afro 10 për qind të totalit të bonove, afro 10 miliardë lekë. Fondi mblodhi letra me vlerë deri në vitin 1997, afro 2 miliardë lekë, ndërkohë që u rikthye sërish pas trazirave për të mbledhur edhe mbi 7 miliardë lekë të tjera, deri në vitin 1999. Pas këtij viti përfaqësuesi amerikan u rishfaq në vitin 2000, për t’u zhdukur më pas. Ai, së bashku me Declan Ganley-n i kanë deklaruar si aksione në pronësinë e tyre 120 milionë dollarët e “Anglo-Adriatika”, ndërsa për vite me radhë kanë blerë nëpërmjet bursës prona në shumë vende të botës.
Skema
Në përgjithësi është evidentuar që privatizimi përmirëson administrimin e shoqërive shtetërore. Por, në disa ekonomi në tranzicion ndryshimi i pronësisë nuk ka sjellë premtimin e parashikuar. Skema e privatizimit masiv është përdorur në Çeki, Kazakistan, Mongoli, Moldavi dhe Shqipëri, por në të gjithë këto vende, pas shumë përpjekjesh, zotëruesit e bonove të privatizimit nuk kanë arritur të përfitojnë. Përvoja botërore tregon se shpërndarja e pronësisë midis një popullate të pa përvojë ka sjellë një administrim jo efektiv të shoqërisë, por dhe ka sjellë në këto vende “mjeshtër” të bursës që kanë përdorur pasuritë e popujve të varfër dhe të painformuar për të ngritur perandori të reja financiare më vonë. Përvoja në rajon tregon që bonot e privatizimit janë përdorur gjerësisht në procesin e privatizimit masiv. Në këto vende, një nga arsyet kryesore të krijimit dhe ngritjes së bursave ka qenë pikërisht sigurimi i një tregu të rregulluar për anëtarët dhe publikun e gjerë për tregtimin e bonove të privatizimit. Ndërsa përsa i përket bursës në vendin tonë, si një treg i rregulluar i letrave më vlerë, mund të thuhet që bonot e privatizimit janë letra me vlerë juridikisht të tregtueshme në sesionet e tregut sekondar të Bursës së Tiranës.

Kompania, drejtuesit “avulluan” pa lënë gjurmë

Dega e Fondit “Anglo-Adriatika” për Shqipërinë, e cila kishte zyrën e saj kryesore në katin e dytë të hotel “Rogner”, u ngrit në vitin 1994 dhe funksiononte me një administratë të plotë. Në krye të Fondit ishte Pirro Kushi, paga e të cilit vërtitej në mbi 5 mijë dollarë në muaj. “Anglo-Adriatika” u zgjerua duke hapur degët në disa sportele të ish-Bankës së Kursimeve, numri i të cilave arrinte në 14 të tilla. Nëpunësit e bankës paguheshin gjithashtu edhe nga Fondi për procesin e mbledhjes së bonove të privatizimit. Nga viti 1995-1997, “Anglo-Adriatika” mblodhi mbi 2 miliardë lekë, ndërkohë që gjatë trazirave të ’97-s, kur u vodhën bankat, u grabitën gjithashtu edhe paratë e kreditorëve të “Anglo-Adriatikas”. Krerët e Fondit vazhduan punën normalisht pas trazirave, deri në prill të vitit 2000, kur u volën edhe mbi 8 miliardë lekë të tjera. Ndërkohë, pas mbylljes së Fondit, asnjë sqarim apo deklaratë publike nuk është bërë nga drejtori i Fondit në Shqipëri, Pirro Kushi, i cili për katër vite rresht menaxhoi këtë skemë, nga ku mendohet se doli tepër i pasur. Zyra e tij në hotel “Rogner”, e cila nga viti ’94-’99 mblodhi, përmes degëve që u hapën, afro 120 milionë dollarë nga kreditorët e “Anglo-Adriatikas”, u mbyll pa dhënë as më të voglin sqarim për ta.

Marrëveshja, kreditorët e Fondit duhet të shlyheshin brenda vitit 2000

Në bazë të marrëveshjes që krerët e “Anglo-Adriatikas” kishin me qeverinë, përcaktohej se kreditorët do të likuidoheshin brenda vitit 2000. Këtë vit menaxheri i madh amerikan, Donald de Marino, rivjen në Shqipëri, ku doli me konkluzionin e vetëm se do të hidhte në gjyq qeverinë, duke u zhdukur më pas pa lënë gjurmë. Ndërkohë, qeveritarët e sotëm shprehen se shfrytëzimi nuk mund të shkojë më shumë se 10% të vlerës kontabël, pra vlerës së aseteve që do të shiten, përndryshe ngelet që përdormi më i madh i letrave me vlerë ndikon në një eficencë më të ulët të ndërmarrjeve. Në këtë këndvështrim, ky është edhe niveli më i lartë që mund të përdoren letrat me vlerë gjatë proceseve të privatizimit, pasi nëse do të kalonte këtë kufi, do të kishte ndikim në eficencën e ndërmarrjeve. Të tilla privatizime mund të jenë ai i kompanisë së naftës ARMO, Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare etj. Mënyra se si do të përdoren ato është nëpërmjet kalimit të tyre në aksione. “Letrat me vlerë kanë një vlerë nominale, të cilat do të përdoren për t’u shndërruar, për t’u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë. Pastaj është vlera e aksionit që ndryshon në varësi të vlerës së tregut, e cila llogaritet në momentin që konvertohet në vlerë aksioni dhe është vlera e certifikatës së aksionit”, - shprehen ekspertët. Pra, vlera në treg merret nga aksioni dhe jo nga bonot, sepse bonot nuk janë instrumente që mund të kenë vlerën e tyre, përderisa nuk ka një treg aksionesh dhe ky treg do të thotë në vlerën reale të tyre.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›