Inflacioni në revan

Rritet zhvlerësimi i pagave dhe pensioneve
Për muajin mars inflacioni ka regjistruar nivelin e tij më të lartë në këto 10 vitet e fundit. Inflacioni i lartë ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë dhe importit të lartë të produkteve ushqimore. Sipas INSTAT-it, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin mars 2008 arriti 102.4 për qind, kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.9 për qindësh krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin mars është 4.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.7 për qind.
Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 0.7 për qindësh, me një ndikim prej 0.3 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 4.8 për qindësh vërehet në nëngrupin “fruta”. Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të kivit me 16.9 për qind, mollëve me 5.4 për qind, portokalleve me 4.4 për qind dhe bananeve me 3.7 për qind. Indeksi i nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” shënoi një rritje prej 1.0 për qindësh, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të lulelakrës me 31.4 për qind, lakrës me 24.6 për qind, domateve me 10.5 për qind etj. Gjatë muajit mars, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “vajra dhe yndyrna” me 0.5 për qind, “bukë e drithëra” me 0.5 për qind, peshk” me 1.2 për qind. Ndërsa çmimet në nëngrupin “qumësht djathë e vezë” shënuan një ulje prej 0.5 për qindësh. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.8 për qindësh, duke pasur një ndikim prej - 0.04 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 3.8 për qindësh, duke pasur një ndikim prej 0.6 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Çmimi i energjisë elektrike në muajin mars 2008 shënoi një rritje prej 23.7 për qindësh. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.8 për qindësh, duke pasur një ndikim prej 0.05 për qindësh në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit mars çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qindësh dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.5 për qind.
Rritja e çmimeve:
Ushqime dhe pije joalkoolike 0.7 për qind
Vaji 0.5 për qind
Buka 0.5 për qind
Energjia elektrike 23.7 për qind
Nafta 1.4 për qind
Benzina 0.5 për qind
Qira, ujë, lëndë djegëse 3.8 për qind
Fruta 4.5 për qind
Kivit 16.9 për qind
Mollët 5.4 për qind
Portokallet 4.4 për qind