E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Burrelit, mizerabël

BURREL - Kushtet e të dënuarve në burgun e Burrelit janë të mjerueshme. Në një prononcim për gazetën “Korrieri”, menjëherë pas inspektimit të qelive të vendvuajtjes së dënimeve, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit tha se kushtet në Burgun e Sigurisë së Lartë Burrel janë të rënda. Nga monitorimet e kryera është konstatuar se dhomat janë të mbipopulluara, marrëdhëniet midis administratës dhe së të dënuarve nuk kanë qenë korrekte, ndërsa të burgosurit nuk njihen me të drejtat e tyre ligjore etj. “Për fatin tonë të keq, - pohoi Hysi - ne e kemi njohur qytetin e Burrelit nëpërmjet vizitave që kemi pasur në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe Komisariatin e policisë. Kemi pasur letra të shumta nga të dënuarit dhe i kemi vlerësuar maksimalisht kërkesat e tyre. Në këtë burg vuajnë dënimin të dënuar kryesisht nga rrethet e Veriut të vendit, por ka edhe nga Jugu i Shqipërisë. Të shumta kanë qenë ankesat e të burgosurve në lidhje me marrëdhëniet midis administratës dhe të dënuarve. Në këtë burg vuajnë dënimin kategori të veçanta dhe ata duhen trajtuar si të tillë”, - tha Hysi. Kjo e fundit trajton me shqetësim konceptim që ekziston në disa burgje për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Ata në jo pak raste përbuzen dhe nuk trajtohen nga punonjësit e sigurisë, si të gjithë të dënuarit e tjerë. Kjo sipas KSHH-së, është një veprim i padrejtë dhe kështu shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas Vasilika Hysit, nuk bëhen përpjekje nga drejtoritë e burgjeve që të dënuarit të informohen për të drejtat e tyre ligjore. Pikërisht ky shqetësim dhe kushtet e rënda së të dënuarve i janë bërë prezent kohët e fundit ministrit të Drejtësisë. Duke komentuar deklarimet e të arratisurve, Preng Lleshi dhe Fran Marashi se ata kishin lënë qelitë, sepse kërkesa e tyre për rishqyrtim të dënimit nuk ishte marrë parasysh nga institucionet shqiptare, Hysi shtoi se disa të dënuar janë në gjendje aq të rëndë ekonomike, saqë nuk kanë para as për të siguruar një avokat, ndërkohë që për një kategori të caktuar as nuk lejohet të kenë avokat. E gjithë kjo situatë duhet të ndryshojë urgjent, sipas Vasilika Hysit, e cila bëri me dije se ngjarja e ditëve të fundit në Burgun e Burrelit do të jetë objekt i punës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›