E Diel, 1 Nëntor 2026

Letrat me vlerë, pasuritë e shqiptarëve u lozën në bursat ndërkombëtare

Zbardhen vetëdeklarimet e fondit “Anglo-Adriatika”. Kosta Trebicka, një prej drejtuesve të këtij fondi

Habjon Hasani
Aksionet e 45 mijë kreditorëve të kompanisë ”Anglo-Adriatika” janë ”lozur” në bursat ndërkombëtare nga drejtuesit e këtij fondi. Këtë fakt e vërteton vetë faqja zyrtare e ”Ganley Group”, i cili ka të shkruar se ky grup ka arritur të mbledhë 45 mijë aksionarë nëpërmjet fondit ”Anglo-Adriatika” në Shqipëri, ndërsa më tej deklarohet se prej këtyre aksioneve ky grup ka siguruar një vlerë prej 120 milionë dollarësh deri në vitin 1997. Ky vetëdeklarim i ”Ganley Group” i ”vë vulën” privatizimit që irlandezët i kanë bërë letrave me vlerë të shqiptarëve duke i paraqitur si asete të firmës së tyre në bursat ndërkombëtare. Po a kanë qenë aksionet e 45 mijë shqiptarëve (me vlerën e 120 milionë dollarëve) aksione të kompanisë “Ganley Group”? Përgjigjja është “jo”. Pasi gjatë trazirave të vitit 1997 ”Anglo-Adriatika” ka depozituar letrat me vlerë në ish-Bankën e Kursimeve duke pritur që me anë të tyre të kryente privatizimet e ndërmarrjeve strategjike vetëm në Shqipëri. Në momentin kur kjo kompani (”Ganley Group”) që prej vitit 1997 deklarohet se disponon si të sajat 120 milionë dollarë aksione të ”Anglo-Adriatika”, del që në bashkëpunim me zyrtarë e kohës ”Anglo Adriatika” ka siguruar vërtetimin nga Banka e Kursimeve për ”pronësinë” e këtyre aksioneve e më tej ka qenë e lirë për t’i paraqitur ato në bursat ndërkombëtare.
Fondi
Rreth 120 milionë dollarë janë marrë nga fondi i investimeve Anglo-Adriatik prej 45 mijë shqiptarëve që prej vitit 1996. E konvertuar në vlerën e sotme të dollarit, kjo shumë do të ishte edhe më e madhe, rreth 160 milionë dollarë (në kohën kur janë mbledhur bonot e privatizimit dollari kuotohej me 133 lekë). Anglo-Adriatic Investment Fund drejtohej nga Ganley Group. Ai mori licencën e parë për ushtrimin e një aktiviteti të tillë më 23 prill 1996. Ganley Group (me drejtues Declan Ganley) kishte 90% të aksioneve të Anglo-Adriatik dhe 10% ishin në zotërim të Rothschild Emerging Markets. Duke kërkuar në internet, Ganley Group e vazhdon aktivitetin e vet në Galway në Irlandë dhe vazhdon të ketë degë në shumë vende të Europës (përjashto vetëm Shqipërinë). Kompania rreshton një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, si transporti, telekomunikacioni (Ganley Group ka në zotërim disa kompani telekomunikacioni, Rivada, Broadnet dhe Cable Bulgaria). Fondi ishte një ndër tre fondet e investimit të licencuara.
Trebicka
Sipas informacioneve të mbledhura nga “Albania”, në fondin e “Anglo-Adriatika” në Shqipëri ka pasur dy përfaqësues të lartë, të cilët kanë qenë Pirro Kushi dhe Kosta Trebicka. Të dy këta personazhe njihen sot si sipërmarrës, ndërsa Trebicka është kthyer së fundi në “epiqendrën” e skandalit për blerjen e armëve nga Pentagoni. Por, përtej këtij fakti, Trebicka dhe Kushi kanë qenë në kontakte të vazhdueshme me presidentin e “Ganley Group”, Declan Ganley, i cili duket se fill pas vitit 1997 ka blerë në Bullgari asetet të telekomit bullgar dhe ka krijuar “Broadnet”, një shërbim televiziv kabllor në vendet e Lindjes. Duket se këto blerje të “Ganley Group” në Bullgari kanë kushtuar rreth 300 milionë dollarë, ndërsa në lojë me shumë gjasa kanë qenë dhe aksionet e “Anglo-Adriatika”, të cilat janë paraqitur si asete të kësaj firme në bursat ndërkombëtare.

Kosta Trebicka: “Kam ende miqësi me Ganley-n dhe Don Marinon”

Kosta Trebicka, ish-anëtar i bordit drejtues të “Anglo Adriaika” i pyetur pak ditë më parë nga “Albania”, ka pohuar se vazhdon të ruajë marrëdhëniet rregullisht me Declan Ganley-n, drejtuesin e fondit “Anglo-Adriatika”.
“Po, unë takohem shpesh, madje me Declan Ganley-n dhe vëllain e tij. Flasim sa të doni për fondin ‘Anglo-Adriatika’, nuk jam dakord madje që ndonjë media e ka paraqitur si biznes të lidhur me interesat greke këtë fond”, - është shprehur Trebicka për “Albania”-n. Sakaq, gazeta e ka pyetur biznesmenin shqiptar edhe për njohjet e mundshme të tij me të ashtuquajturin Don de Marino. Ky i fundit njihet si një ortak i Declan Ganley-t dhe si një biznesmen i fuqishëm, i lidhur me familjen Bush dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë Amerikano-Saudite. Sipas të dhënave, Don de Marino ka qenë dhe drejtori Ekzekutiv i Anglo-Adriatikas, vjen në Tiranë, ndërsa në vitin 2000 ai ka ardhur në Tiranë, ka kërkuar riaktivizimin e letrave me vlerë e duke kërcënuar edhe me një proces gjyqësor ndërkombëtar qeverinë shqiptare, por përsëri pa arritur asnjë rezultat. Përtej kësaj tentative, Don de Marino dhe Declan Ganley kërkuan në vitin 1996 më insistim që të hapej “Bursa e Tiranës”, fakt ky që sipas logjikës elementare, do t’i ndihmonte ata që të kuotonin në nivel ndërkombëtar asetet e “Anglo Adriatikas”. Ndërkohë që Trebicka ka pranuar gjatë kontaktit që pati me “Albania”-n se vazhdon të ruajë marrëdhëniet edhe me Don de Marinon. “Po, kam ende marrëdhënie shumë të mira edhe me të. ǒtë keqe ka në këtë mes? Natyrisht, ju keni të drejtë kur thoni se ai është një njeri shumë influent, keni të drejtë kur thoni gjithashtu se Don Marino ka miq të shumtë edhe në Pentagon”, - i ka thënë Trebicka “Albania”-s.

Misteri, Komisioni i Ekonomisë pezulloi hetimet në vitin 2006

Me një vendim të bujshëm në mes të vitit 2006, Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat do të niste hetimet për fondin “Anglo-Adriatika”, kompani e huaj që bleu bonot e 45 mijë shqiptarëve, fati i të cilave nuk dihet më. “Me kërkesë të disa deputetëve socialistë, komisioni parashikon t’i hyjë nga e para historisë për zbardhjen e njërës prej enigmave, e cila mbahet ende fshehur nga zyrtarë të lartë qeverisës. Po ashtu, duke shfrytëzuar rastin e prezencës së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për raportin e 2006-s, komisioni do të marrë në pyetje Fullanin për fatin e këtyre letrave me vlerë”, - shkruhej në njoftimin e dy viteve më parë. Por gjithçka ka ngelur këtu, ndërsa askush nuk ka folur më tej për këtë hetim, i cili mund të zbardhte nëse “Anglo-Adriatika” apo “Ganley Group” kanë blerë prona në vende të tjera nëpërmjet përdorimit antiligjor në bursë të aseteve të “Anglo-Adriatikës”. Si rregull, letrat me vlerë kanë një vlerë nominale, të cilat mund të përdoren për t’u shndërruar, për t’u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë. Pastaj është vlera e aksionit që ndryshon në varësi të vlerës së tregut, e cila llogaritet në momentin që konvertohet në vlerë aksioni dhe është vlera e certifikatës së aksionit, shpjegohet në studimet ekonomike.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›