Importet, rritet deficiti tregtar

Banka e Shqipërisë
Për dy vite me radhë deficiti tregtar do të ngushtohej falë rritjes së eksporteve shqiptare, ashtu sikurse ndodhi në vitet 2009 dhe 2010, por kjo ecuri tashmë nuk mbështetet më nga shifrat për vitin 2011. Statistikat e Bankës së Shqipërisë për vitin e kaluar tregojnë se bilanci tregtar arriti – 59 milionë euro me një rritje plot 74 milionë euro krahasuar me vitin 2010. Përkundër rritjes që mund të kenë pësuar eksportet shqiptare dhe favorizimit që mund të ketë dhënë në ngushtim të deficitit rënia e importeve për shkak të rënies së konsumit të brendshëm, importi i energjisë e ka ndryshuar komplet situatën. Duke qenë si një vit problematik me importe të larta të energjisë qysh në muajt e parë të vitit, deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm. Ndërkohë që ky deficit është edhe më i lartë se në vitin 2009, ku sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, përkthyer në euro, vlera është 601 milionë. Po kështu, statistikat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë edhe gjendjen e llogarisë korrente në fund të vitit 2011, e cila rezulton të jenë në një nivel më të mirë sesa ajo e një viti më parë. Kështu nëse në 2010-n llogaria korrente ishte -356 milionë euro, në vitin 2011 kjo llogari ishte -349 milionë euro. Në total, bilanci i përgjithshëm, sipas Bankës së Shqipërisë, rezulton të jetë negativ me vetëm 6 milionë euro për vitin e kaluar, ndërkohë që për 2010 ky bilanc i përgjithshëm ishte pozitiv në vlerën 126 milionë euro.