Shqipëria 2011, u rrit ekonomia, por edhe papunësia

Punonjës në fabrikë tekstilesh Foto arkiv {Sh}
Emirjon Senja
Shqipëria njohu një rritje ekonomike pozitive gjatë vitit të shkuar. Instituti i Statistikave publikoi dje treguesit paraprak, sipas të cilave ekonomia shqiptare u rrit me 3.1 për qind në 2011. Kjo është një rritje e mire krahasuar me pështjellimet që janë duke ndodhur në një serë vendesh, megjithatë shifrat janë ende në fazë paraprake dhe duhet të kalojnë të paktën 17 muaj për të pasur një panorame më të qartë.
Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare pati një përshpejtim gjatë gjysmës së dytë të vitit në kontrast me gjashtë mujorin e parë. Kështu, nëse gjatë gjashtëmujorit të parë, ekonomia u rrit mesatarisht me 2.95 për qind, gjatë gjashtë mujorit të dytë ajo u rrit me plot 3.3 për qind. Madje, rritja më e lartë u shënua gjatë tre mujorit të fundit 2011, duke arritur në 3.8 për qind.
Logjikisht, me një rritje ekonomike pozitive, aq më tepër në shifrat e publikuara, duhet të ketë edhe një rritje të punësimit, sado e vogël të jetë ajo në tregues. Në fakt nuk ka ndodhur kështu. Për të njëjtën periudhë madje (tre mujori i katërt 2011), INSTAT raporton rritje të papunësisë.
Sipas të dhënave të publikuara më parë nga INSTAT, në fund të vitit 2011, në Shqipëri numëroheshin 142 950 të papunë, kundrejt 142 82 personave të regjistruar përgjatë tre mujorit të tretë të po këtij viti. E përkthyer në përqindje, papunësia gjatë kësaj periudhe arriti në 13.29 për qind nga 13.25 për qind që ishte përgjatë muajve korrik-shtator të vitit 2011. Në këtë mënyrë, vendi e mbylli vitin 2011 me 868 të papunë të rinj.
Në kushtet në fjalë, rritja ekonomike nuk ka qenë në nivelet që të hapë aq vende pune për sa kanë pasur nevojë shqiptarët. Kjo për faktin, se forca e punës ka pësuar një rritje të ndjeshme duke filluar nga tre mujori i dytë 2011, gjë e cila duket të ketë shkaktuar edhe rritjen e papunësisë në fund të vitit. Kështu, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2011 mësohet se janë punësuar rreth 2 500 persona, ndërsa forca e aftë për punë u rrit me 3 390 persona.
Sektorët
Ndryshe nga vitet e mëparshme, ndikuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike gjatë 2011-ës për Shqipërinë, ishin transporti, tregtia dhe telekomunikacioni, ndërsa kriza tek ndërtimi vijon të thellohet duke detyruar investitorët që të prekin pagat e punonjësve apo të shkurtojnë edhe vende pune. Kështu, rritja më e madhe gjatë vitit të shkuar u shënua në sektorin e transportit, në vend të dytë ishte tregtia dhe hotelet si edhe shërbimet. Nga ana tjetër, tregues negativ pati tek sektori i industrisë, i cili pësoi rënie gjatë gjithë vitit duke mos përjashtuar edhe tre mujorin e fundit 2011.
108 mld lekë kredi me probleme, bankat shtrëngojnë kushtet
Pas një stabilizimi në dukje, ritmet e rritjes së kredive me probleme kanë filluar të përshpejtohen sërish. Shoqata e Bankave raportoi dje se kreditë me probleme arritën në 19.1 për qind me një rritje prej 0.2 pikë për qindje kundrejt muajit janar.
Në total, kredia me probleme deri në fund të muajit shkurt arriti në 108 miliardë leke, me një rritje prej rreth 3 miliardë leke krahasuar me muajin paraardhës. Ritmet e rritjes së kredisë me probleme gjatë shkurtit, i rikthehet treguesve problematik të fundit të vitit të shkuar. Bankat kanë kredituar ekonominë me rreth 567.2 miliardë lekë, ku pjesën dërrmuese të fondeve, rreth 74 për qind, e ka marrë biznesi për të financuar aktivitetin e tij. Nga e gjithë kjo shumë e kredituar, bankat deklarojnë se konsiderojnë të humbura rreth 34.7 miliardë lekë. Ndryshe nga kredia me probleme në përgjithësi, niveli i kredisë së humbur ka pësuar një rritje minimale krahasuar me vitin e kaluar, çka tregon se bankat kanë marrë masa në drejtim të stimulimit të kredimarrësve për të paguar.
Biznesi është përballur me shtrëngim të kushteve të kreditimit gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me kreditimin në tre mujorin e parë të vitit 2012, tregon se bankat parashikon rritje të kushteve për bizneset. Për tremujorin e parë të vitit 2012 ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset do të vijojnë të shtrëngohen më tej. Balanca neto e pritjeve shënoi -27.7 për qind. Standardet pritet të shtrëngohen si për kreditë dhënë bizneseve të mëdha dhe ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, – deklaronte Banka e Shqipërisë. BSH shpjegonte se bankat rritën kërkesat për kolateralin, ulën maturitetin si edhe shumën e parave që huazojnë.
Shkurti ka qenë një muaj me tregues pozitiv për sa i përket depozitave. Bankat futën në arkat e tyre rreth 7 miliardë lekë më shumë gjatë këtij muaji. Në total, shqiptarët mbajnë rreth 929 miliardë lekë nëpër banka, ku pjesa më e madhe e depozitave i përket individëve.
I vetëpunësuar, çdo fshatar që ka tokë!
INSTAT konsideron automatikisht të punësuar të gjithë ata që kanë në pronësinë e tyre tokë bujqësore, në metodologjinë që përdor për të përllogaritur shifrën e papunësisë. Grupi në fjalë cilësohet si i vetëpunësuar në bujqësi. Nga rreth 932 mijë të punësuar që raportoi INSTAT pak javë më parë, rreth 506 600 prej tyre figurojnë si të vetëpunësuar në sektorin privat bujqësor. Presupozohet që personat që kanë tokë e shfrytëzojnë atë duke nxjerrë të ardhura për të mbajtur veten dhe familjen. Megjithatë, në të gjithë vendin gjenden hapësira të mëdha toke që nuk shfrytëzohen, gjë e cila bën që numri i të papunëve të mos jetë ajo e deklaruar. Një numër më i vogël personash, rreth 260 700, figurojnë si të punësuar në sektorin privat, kurse 165 000 të tjerë marrin rrogën nga sektori shtetëror.
INSTAT ndryshon treguesit
Publikimet për rritjen ekonomike të vendit janë ndryshuar vazhdimisht nga INSTAT. Kështu, fillimisht u deklarua se rritja ekonomike për tre mujorin e dytë të vitit 2011 ishte 0.6 për qind, më pas shifra u ndryshua dhe u deklarua se ishte 0.9 për qind. Në publikimin e djeshëm, INSTAT ka ndryshuar sërish rritjen ekonomike për tre mujorin e dytë 2011 duke e deklaruar 1.1 për qind. E njëjta gjë ka ndodhur në tre mujorin e tretë. Fillimisht u publikua një rritje 2.6 për qind, e cila më pas u rrit në 2.8 për qind. Ndryshimi i treguesve sipas INSTAT është normal, pasi kemi të bëjmë me shifra paraprake, të cilat duan kohë dhe të dhëna të tjera për tu konfirmuar.
Dekreti
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje dy projektligji të qeverisë për Statusin e të Verbërve dhe atë për Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët. Personat me aftësi të kufizuara protestuan para Parlamentit, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë, i cili i redukton kompensimet financiare ndaj kësaj kategorie.