Thellohet kriza, rritja ekonomike, 0.1 për qind
Raporti i INSTAT për 2011: Ulen pagat dhe punësimi në të gjithë sektorët.
Në 2011 ekonomia u rrit 3.1%, më keq se në 2009.
Ekonomia në tremujorin e fundit të vitit 2011 është rritur me vetëm 0.1 për qind, shifër kjo që reflekton thellimin e krizës në vend. Një rritje e tillë, që më shumë është qëndrim në vend, nuk është surprizë, pasi kjo u parapri nga një rënie e theksuar e konsumit të brendshëm, qeveria stopoi gjithë shpenzimet e saj, kurse realizimi i të ardhurave në buxhet nuk ishte në nivelin që pritej. Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2011 u rrit me 3.8 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2010, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë vitit 2011 u rrit me 0.1 për qind, thuhet në raportin e INSTAT-it. Kontributin kryesor në tremujorin e katërt të vitit 2011 e kanë pasur sektori i transportit, tregtia, shërbimet e tjera, post-komunikacioni dhe ndërtimi që janë rritur respektivisht me 15.4 për qind, 8.8 për qind, 5.4 për qind, 3.8 për qind dhe 1.2 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010. INSTAT ka publikuar edhe rritjen reale të PBB-së për gjithë 2011-n. Pas llogaritjes së katër tremujorëve rezulton që vitin e kaluar ekonomia u rrit me 3.1 për qind. Kjo është rritja më e ulët ekonomike e shënuar viteve të fundit, madje edhe më e ulët se në vitin 2009, kur ekonomia globale ishte në syrin e krizës, por në këtë vit PBB-ja u rrit 3.3 për qind. Shifra 3.1 për qind, edhe pse më e ulët, sërish është 0.1 për qind më e lartë se ajo që qeveria kishte përfshirë në treguesit e saj së fundi.
Pagat dhe punësimi
Sektorët që vitet e fundit janë cilësuar si motorët e zhvillimit ekonomik apo si potencialë për ta mbështetur atë, në shifra rezultojnë të jenë në krizë. Këtë e tregon tkurrja e aktivitetit të tyre duke ulur në disa raste numrin e punonjësve në disa raste pagat, por shumica i kanë aplikuar të dyja masat. Industria, ndërtimi, tregtia me shumicë, hotelet dhe telekomunikacioni kanë pasur luhatje me tendencë uljeje, kjo krahasuar gjithmonë me vitin 2010. Në industri, sipas INSTAT-it, numri i të punësuarve në 2011-n ka rënë me 1.5 për qind krahasuar me një vit më parë dhe këta më pak të punësuar kanë pasur një rritje page 4.1 për qind. Sektori i ndërtimit ka punësuar 3.7 për qind më pak persona në tremujorin e fundit të 2011-s krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-s dhe pagat janë ulur me 2.0 për qind. E njëjta situatë vlen edhe për tregtinë me shumicë, ku numri i të punësuarve është ulur 7.8 për qind në tremujorin e katërt 2011, krahasuar me tremujorin e katërt 2010, ndërsa pagat janë ulur 0.6 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Hotelet, për periudhën tetor-dhjetor 2011, kanë ulur me 12.1 për qind punësimin, ndërsa pagat 10 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sektori i postës dhe komunikacioneve shfaqet gjithashtu me luhatje. Numri i të punësuarve në aktivitetin postar rriten 3.1 për qind dhe pagat e paguara nga ndërmarrja rriten me 4.4 për qind, ndërsa në komunikacion, numri i të punësuarve ulet 2.3 për qind dhe pagat ulen me 1.6 për qind, gjatë periudhës së tremujorit të katërt 2011, krahasuar me tremujorin e katërt 2010, thuhet në raportin e INSTAT-it për vitin 2011. Sektori që duket se ka pasur ecurinë më të mirë përgjatë vitit të kaluar, sipas Institutit të Statistikave, është ai i transportit, por që lidhur me punësimin dhe me ecurinë e pagave nuk jepet ndonjë detaj.
Instat për Energjinë
Shifrat e INSTAT-it reflektojnë se prodhimi i energjisë për vitin 2011, nëse këtë e krahasojmë me vitin 2010, përbën minusin më të madh për sektorin. Volumi i prodhimit të energjisë në tremujorin e katërt 2011 ka rënie 63.9 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt 2010.
Punësimi dhe pagat
Tremujori IV 2011 – Tremujori IV 2010
Industria
Punësimi -1.5 për qind
Paga +4.1 për qindNdërtimi
Punësimi -3.7 për qind
Paga -2.0 për qindTregtia me shumicë
Punësimi -7.8 për qind
Pagat -0.6 për qind
Hotelet
Punësimi -12.1 për qind
Pagat -10 për qindAktiviteti postar
Punësimi +3.1 për qind
Pagat +4.4 për qindKomunikacioni
Punësimi -2.3 për qind
Pagat -1.6 për qind
NERTILA MAHO