E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importet e larta “shpëtojnë” TVSH-në

Shitjet brenda vendit deklarojnë 2 miliardë lekë më pak, importet 6 miliardë më shumë

Dilema më e madhe e ekonomisë në kohë krizash është niveli i konsumit, luhatja e tij në varësi të ndërgjegjes që kanë individët. Lajmet për rrënim bankash, humbje vendesh pune, apo të dhënat për më pak të ardhura nga të afërmit emigrantë, përfshi dhe ndikimi i çmimeve të larta (dritat, uji apo akcizat për disa produkte) konsiderohen faktorë që bëjnë presion te vendimi i konsumatorit për më shumë apo më pak shpenzime. Shumë familje shprehen se e kanë ulur dorën e shpenzimeve, për rrjedhojë edhe të konsumit, nga ideja për të pasur më tepër kursime për raste krizash.

Ajo çfarë tregojnë shifrat e Ministrisë së Financave për vitin 2010, është dëshmia e rënies së forcës blerëse, ndikimi i të cilës në ekonomi është tepër domethënës për të kuptuar nivelin e besimit të konsumatorit.

Të paktën, deri në muajin shtator, të dhënat nga niveli i arkëtimeve për taksën TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) shënojnë një rënie të theksuar, pikërisht te pjesa që përfaqëson shitjet brenda vendit. TVSH-në e vjelin tatimet për aktivitetin brenda vendit, kurse doganat e arkëtojnë për mallrat që vijnë nga jashtë përmes importeve. Këto të fundit po japin një ndikim pozitiv në totalin e arkëtimeve të TVSH-së, aq sa mund t’i konsiderojmë “shpëtimtare” për arkën e shtetit.

Konkretisht, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka mbledhur gjithsej 84 miliardë e 300 milionë lekë për buxhetin e shtetit, ose rreth 3.9 për qind më shumë se një vit më parë. Por ajo që ka ndikuar në këtë sukses të përgjithshëm të TVSH-së kanë qenë importet e larta si 9-mujor. Kështu, TVSH-ja në import ka pasur ecuri të mirë, nën ndikimin e rritjes së vlerës së importeve për këtë periudhë. Sa i takon TVSH-së brenda vendit, që vilet nga administrata tatimore që paraqet ecurinë e aktivitetit në tërësi, përfshi dhe forcën blerëse, paraqitet e dobët.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit, ose më saktë nga shitjet brenda, ishin 22 miliardë e 42 milionë lekë, nga 24 miliardë e rreth 900 milionë lekë, me një rënie prej 11.6 për qind, duke ndikuar negativisht në totalin e kësaj takse në masën e rreth 7.8 për qind.

Nga importet ka një rritje të ardhurash me rreth 6 miliardë lekë, kurse totali nga ky zë është 62 miliardë e 320 milionë lekë, ose 10.7 për qind më shumë, por që nuk mjaftuan të japin rezultatin final pozitiv, pasi e gjithë e ardhura nga TVSH-ja për të dy zërat ishte gati 3.5 për qind më pak se viti 2009.

“Ecuria me e ngadaltë e TVSH-së së mbledhur nga administrata tatimore është ndikuar kryesisht nga fakti se rritja e prodhimit dhe e shitjeve të bizneseve që operojnë në ekonominë shqiptare është udhëhequr nga rritja e eksporteve”, është shpjegimi zyrtar që bën Ministria e Financave, në relacionin që shoqëron buxhetin e shtetit për vitin 2011. Pra, biznesi vendas është duke rritur prodhimin, i cili po del jashtë tregut shqiptar si eksport dhe që sipas ligjeve nuk duhet të paguajnë eksport. Ministria përmend një tjetër faktor që ka ndikuar në uljen e TVSH-së brenda vendit.

“Një faktor tjetër në ecurinë më të ngadaltë të të ardhurave nga TVSH-ja është edhe niveli rreth tri herë më i lartë i TVSH-së së rimbursuar krahasimisht me nëntëmujorin e 2009-s (7 miliardë e 400 milionë lekë nga tatime dhe dogana kundrejt 2 miliardë e 200 milionë lekë të vitit 2009).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›