E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja, në protestë për lirimin e Assange. Hakerat, në shënjestër sistemi gjyqësor britanik

“Wikileaks” Manifestime janë zhvilluar edhe në shtete të tjera si: Holandë, Brazil e Argjentinë

“Anonymous", grupi i hakerave pro Assange që në ditët e fundit ka sulmuar faqet e internetit të “MasterCard”, “Visa e PayPal”, ka kërcënuar se do të sulmojnë sistemin gjyqësor britanik nëse themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, do të ekstradohet nga Britania e madhe për në Suedi. Lajmi është publikuar nga e përvajshmja angleze “Times”. Po sipas asaj që ajo shkruan ata mund të sulmojnë edhe sistemet e burgut të Wandswortgh, në Londër, ku mbahet 39-vjeçari australian.
Sipas “Sunday Times”, janë rreth 35 mijë personat që mendohet se do të ndërmarrin një operacion masiv në rast se mbeten të pakënaqur nga vendimi i magjistratëve britanikë. Nga ana tjetër është parashikuar që avokatët e Assange të kërkojnë lirinë me kusht për të. Por ndërkaq, me qindra persona kanë dalë dje në Spanjë për të protestuar përpara ambasadës britanike në Madrid kundër arrestimi të australianit themelues të “Wikileaks”, sajti që shkaktoi furtunë në diplomacinë botërore me nxjerrjen e dokumenteve sekrete nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Manifestime të tjera, të organizuara nga faqja spanjolle e internetit “Free Wikileaks”, janë zhvilluar në Barcelonë, Valencë, Sevilje dhe në vende të tjera si: Amsterdami në Holandë, San Paolo në Brazil, Buenos Aires dhe Lima. "Dëshirojmë lirimin e Julian Assange në territorin e Mbretërisë së Bashkuar”, shkruhej në sitin spanjoll. Assange që ndodhet në burg në Britaninë e Madhe dhe rrezikon të ekstradohet në Suedi ku akuzohet për përdhunim. Ndërkaq, sipas avokatit të tij suedez, janë gjetur provat që e shpallin të pafajshëm gazetarin australian. Për Bjorn Hurting dy gratë që e akuzojnë kanë “objektiva sekretë” jo të specifikuara mirë për të cilat ai ka gjetur provat. Po sipas Hurting, gratë kanë gënjyer se janë detyruar për të pasur marrëdhënie me klientin  tij. “Për aq sa kam parë në dokumentet e policisë suedeze gratë kanë gënjyer dhe kishin vetëm një objektiv kur shkuan për të denoncuar Assange, që nuk ka lidhje fare me krimet. Ishte më tepër xhelozi apo zhgënjim nga ana e tyre”. Për avokatin suedez është duke u kryer një komplot: “Mund të tregoj se të paktën njëra prej tyre kishte pritshmëri të mëdha për atë që kishte ndodhur me Julian”, deklaroi ai. “Nëse do të shkoja të thosha atë që di para gjykatësve britanikë, rasti i ekstradimit do të ishte mbyllur, por unë i përmbahem rregullave të sistemit gjyqësor suedez se informacionet që disponoj mund të përdoren vetëm këtu”, përfundoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›