Harasani: Nuk e kam parësore futjen në kryesi
Deputeti i PS-së, Andis Harasani nuk kërkon t’i japë shumë rëndësi faktit nëse do të jetë pjesë ose jo e listës së re të kryesisë. “Që nga momenti që kam hyrë në PS e deri më sot do të vazhdoj të punoj për fitoren e PS-së, për demokratizimin e jetës politike në vend, demokratizim që për mua duhet të nisë nga PS-ja. Jam krenar, besoj unë dhe të gjithë miqtë e mi, të gjithë ata që më kanë mbështetur, socialistët me të cilët kam folur, i kemi fituar betejat publike pra, atë çka ne kemi kërkuar të bëjë është bërë dhe mendoj se kjo është rruga që duhet të vazhdojmë për të demokratizuar akoma më shumë PS-në, për ta kthyer në një parti të vërtetë demokratike dhe për ta bërë të gatshme për të fituar zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës. Se kush është në lista, se kush votohet e se kush nuk votohet, këto janë gjëra të një rëndësie të dytë”, - tha Harasani. Komenti i Harasanit në fakt erdhi pas përfoljes në media se ai nuk do të përfshihet në listën e re të kryesisë.