E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi i energjisë, plani gati më 26 shkurt

24/02/2012  Korporata po përgatit sasinë e nevojshme që duhet blerë për konsumin e muajit mars

Fierza në nivele minimale. Importi do të vazhdojë për të siguruar furnizim pa ndërprerje

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të miratojë brenda datës 26 shkurt projektin për të përcaktuar sasinë e energjisë, çmimin me të cilin do të blihet për të garantuar furnizimin për muajin mars. Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të KESH-it Robert Niko, niveli i hidrocentralit të Fierzës është mjaft i ulët dhe nëse situata e motit vazhdon të mbetet e ftohtë edhe për muajin mars, atëherë prodhimi i mëtejshëm i energjisë do të vijojë të vështirësohet. Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është 255.54 metra dhe prurjet arrijnë në 60 metër kub për sekondë. Këto janë parametra shumë të ulët në krahasim me mesataren e kësaj periudhe në këtë basen. Rreth dy vjet më parë prurjet në hidrocentralin e Fierzës arritën në vlera maksimale, duke kapur shifrën tri mijë metër kub për sekondë. Një fenomen tepër i rrallë, por që kishte si shkaktar reshjet e pandërprera të shiut. Ndërkaq tri ditë më parë prurjet ishin në nivelin minimal, në rreth dyzet metër kub për sekondë. Kjo për arsye se reshjet e dëborës që ranë këtë muaj nuk kishin filluar ende të shkrinin. Por niveli i liqenit ishte më i lartë se ai aktual - në 257 metra. Një rënie e nivelit të ujit në hidrocentral, i lidhur me rritjen e prurjeve në të, shpjegohet me faktin se KESH-i ka vijuar të prodhojë normalisht energji për konsumin e brendshëm dhe si rrjedhojë niveli i liqenit ka zbritur nivelin në më shumë se një metër. Vazhdimi i prodhimit të energjisë me kapacitet të plotë do të parandalonte mundësinë që liqeni të kapërcejë vlerën maksimale të tij, duke llogaritur shkrirjen e reshjeve të shumta të dëborës që kanë rënë. Shkrirja e dëborë do të krijonte mundësinë e eksportimit të energjisë elektrike jashtë vendit, pasi për këtë muaj vendi është duke importuar energji. Ky fakt tregon nevojën e energjisë elektrike për konsum.

Situata

Muajt e fundit KESH-i së bashku me CEZ-in kanë importuar sasi të shumta energjie, çka ka bërë që qeveria shqiptare të marrë në konsideratë edhe rishikimin e buxhetit, ndërkohë që gjatë dimrit konsumi i energjisë ka qenë në nivelet maksimale - rreth 25 milionë kilovat-orë. Aktualisht, konsumi i energjisë është 23 milion kilovat orë, nga të cilat 9.9 prodhohen nga HEC-et.

Autostrada

Unaza e madhe, shpronësimet më 1 mars

Shpronësimet për pronarët e unazës së madhe të Tiranës do të fillojnë në datën 1 mars të vitit 2012. Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për të vijuar me punimet në këtë segment. Në bazë të vendimit, do të bëhet kompensimi për një sipërfaqe prej 34 mijë metër katrorë me vlerë rreth 167 milionë lekë. Po ashtu nga ky vendim do të bëhet kompensimi edhe për objektet që ndodhen në përgjatë rrugës, me një vlerë prej 14 milionë lekë. Vlera e kompensimit është rreth 181 milionë lekë dhe do të përballohet nga zëri “investime”, miratuar në buxhet për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për vitin 2012. Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi. Pronarët e pasurive, emrat e të cilëve do të botohen në Fletoren Zyrtare dhe për të cilat është bërë shënimi “konfirmuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›