E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici: Ilia organozoi vrasjen e të shoqes

23/02/2012  Për vrasjen e laburantes Eleni Basho dyshohet bashkëshorti, gruaja i zbuloi tradhtinë

Prej disa kohësh mbahej nën vëzhgim nga policia e Tiranës

TIRANË- Kryepolici i kryeqytetit e bëri vetë publik dje lajmin e arrestimit e bashkëshortit të laborantes Eleni Basho, e cila u vra në Shkozë të Tiranës. Berndard Çaushaj, Drejtor i Policisë së Tiranës, tha dje në daljen për shtyp se ka dyshime të forta që vrasjen e 33-vjeçares e ka organizuar vetë i shoqi, 38-vjeçari Ilia, i cili u vu në pranga. Për shkaqet e vrasjes ende nuk është dhënë ndonjë pistë zyrtare, por burimet policore thanë se ekzekutimi mund të kishte ndodhur, pasi Eleni e kishte zbuluar tradhtinë e të shoqit. Në deklaratën për shtyp Çaushaj u shpreh se, “Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda, në sajë të një pune intensive hetimore, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vrasjes së shtetases Eleni Bashos, 33 vjeç, ngjarje kjo e ndodhur më datë 2 shkurt 2012 në Shkozë Tiranë. Gjatë ecurisë së hetimit, Grupi Hetimor i përbërë nga Specialistë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda, në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, Specialiste nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, bënë të mundur ndalimin e autorit, (bashkëshortit të viktimës) shtetasit Ilia Thanas Basho, 38 vjeç, me banim në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë bazuar në Urdhërin e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë të datës 21 shkurt 2012, pas grumbullimit të provave dhe fakteve, të cilat vërtetojnë implikimin e këtij shtetasi, si organizator i vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Eleni Bashos”. Ndërkaq, ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, u mor masa e menjëhershme e ndalimit për konsumim të veprës penale të “vrasjes me paramendim” të prashikuar nga nenet 78/1, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë. Ilia kishte dhënë në polici një alibi të fortë sikur ndodhej në një farmaci shumë larg shtëpisë në momentin kur është vrarë gruaja e tij. Por, policia ka mundur të sigurojë provat për ta dërguar prapa hekurave. Motivi i vrasjes së 2 shkurtit dyshohet të ketë ardhur për shkak të zënkave dhe konflikteve të forta në çift, që kishin lindur si pasojë e një lidhje jashtëmartesore që kishte pasur Ilia Basho për afro një vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›