E Shtunë, 31 Tetor 2026

Impresionon të gjithë

Shefki Kuqi ende nuk ka pasur rastin t’i dëshmojë kualitetet e tij në klubin e ri Swansea City, por tashmë ka lënë përshtypje.

Sulmuesi kosovar debutoi me fanellën e Swanseas duke luajtur 14 minuta, në ndeshjen kundër Coventryt, të martën. Megjithëse nuk ishte paraqitje si në ëndrra, ai duket se ka impresionuar bashkëlojtarët e tij.

“Nuk e dija se si ta shikoj kur e pashë për herë të parë, pasi ai është një gjigant. Kuqi është një nga ata futbollistë, të cilin mbrojtësit nuk dëshirojnë ta shohin në fushë”, ka thënë bashkëlojtari i ri i Kuqit, Tom Butler.

“Ai dukej shumë i mirë në stërvitje dhe është një sulmues i mirë. Shumë i fortë dhe i mirë në ajër. Por më e rëndësishmja është se Kuqi mund të tërheqë shumë mbrojtës, për të na krijuar hapësirë të tjerëve”, theksoi mesfushori i Swanseas.

Sulmuesin kosovar e ka lavdëruar edhe trajneri i ri, Paulo Sousa. “Të gjithë e vërejnë se ai është një futbollist ndryshe për ne. Gjithmonë kemi kërkuar një futbollist me karakteristika të ndryshme, që me aftësitë e përvojën e tij, mund të na ndihmojë”, tha Sousa.

“Ai ishte shumë afër golit që në ndeshjen e parë dhe dukej shumë i angazhuar. Kuqi është një futbollist i fortë në të cilën kemi besim të plotë. Shpresoj se mund të realizojë shumë gola”, theksoi Sousa.

Ditë më parë, Kuqi nënshkroi një kontratë 18-mujore me Swansean.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›