E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, Berisha fton sërish opozitën për të votuar ndryshimet

Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se "në këtë periudhë për çdo shqiptar kryefjala është votimi në parlament i reformës zgjedhore dhe votimi në Kuvend, në afatet e përcaktuara, të amendamenteve për imunitetin dhe heqjen e tij. Reforma zgjedhore ishte një proces i komplikuar, që kaloi në adresimin dhe përmes rekomandimeve të ODIHR-it. Votimi i saj përbën një arritje të madhe për qytetarët shqiptarë".
     
Berisha tha se konsensusi për këtë reformë u arrit falë lëshimeve të bëra nga Partia Demokratike dhe se për këtë nuk kishte asnjë pendesë. “Është në detyrimin e  qeverisë, që është e vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, t’i japë opozitës të gjitha siguritë e nevojshme”, theksoi Kryeministri.

Sipas kreut të qeverisë, "nëse reforma zgjedhore ishte proces i komplikuar, sepse duheshin debate për 50 e ca rekomandime, reforma për imunitetin është një debat që zhvillohet që nga viti 2005, për të mos thënë dhe më parë, pasi është një reformë thellësisht e debatuar dhe tërësisht e kompletuar. Historiku i saj është i qartë për çdo qytetar shqiptar".

"T’i votojmë sepse ky është interesi jetik i çdo qytetari shqiptar, t’i votojmë sepse çdo hezitim i cilitdo politikani për të mbështetur heqjen e imunitetit, do ketë jehonën më negative, përshtypjen më negative tek çdo qytetar pavarësisht përkatësisë partiake", tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, "ekspertët kanë bërë një propozim të jashtëzakonshëm. Në çdo rast kur parlamenti gjykon se kjo po përdoret për të dëmtuar funksionet e parlamentit, parlamenti ka të gjithë autoritetin për të rivendosur imunitetin. Këtë të drejtë ia kanë lënë një kuorumi më të vogël se 50%. Kjo për të mbrojtur edhe pakicën”.

"Në doktrinën e imunitetit, sipas tyre, imuniteti nuk mbron personin, por institucionet nga pushteti i njëri-tjetrit. Kjo përbën një risi të jashtëzakonshme shumë pozitive, në kuptimin e respektimit reciprok të institucioneve...Kemi qenë për heqjen e imunitetit dhe në vitin 2003, kur e dinim se çfarë klime politike ekzistonte. Kemi mbrojtur këtë pikëpamje me vendosmërinë më të madhe. Kjo ka vetëm një qëllim kryesor, transparencën e institucioneve, zyrtarëve, barazinë e tyre përpara ligjit me qytetarët e thjeshtë”, tha Berisha, duke shtuar se “PS edhe sot nuk ka formuluar asnjë qëndrim të qartë dhe përfundimtar. Uroj që këtë çështje mos ta bëjmë çështje debati për kapital politik, por çështje për qytetarët shqiptarë. Ky është sinjali më i mirë që mund t’u dërgojmë partnerëve tanë. Të votojmë për interesin jetik për qytetarët shqiptarë", deklaroi Kryeministri.

                                                                                             2012-07-16 14:03
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›