Imuniteti, Këshilli i Legjislacionit pa konsensus

Pavarësisht paraqitjes së një drafti të përbashkët, PS-ja dhe PD-ja nuk kanë mundur ta miratojnë atë me konsensus. Deputetët e Partisë Socialiste abstenuan, ndërsa vetëm 15 deputetë të maxhorancës votuan pro draftit.
Pas leximit të draftit nga relatori i PD-së, Edi Paloka, relatori i Partisë Socialiste, Pandeli Majko tha se çështja e imuniteteve është e mbyllur politikisht, dhe drafti i përbashkët i paraqitur sot tregon që PS nuk ka për qëllim bllokimin.
Sipas tij data 6 gusht nuk është institucion, dhe se kushtetuta nuk mund të ndryshohet çdo ditë, ndaj kërkoi që të merren në shqyrtim edhe propozimet e tjera të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Ai akuzoi maxhorancën se kanë përcaktuar datën 6 gusht, për ti thënë opozitës, ose bëj kështu siç them unë ose ti je kundër integrimit.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e mbylli mbledhjen duke e konsideruar një turp mosbotimin e e draftit nga ana e PS-së, ndërsa shtoi se në vazhdim drafti do të ndjekë rrugën e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregullore.
Më herët mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensus për draftin që do të kufizojë imunitetin e deputetëve dhe gjyqtarëve. Dy relatorët e projekligjit Edi Paloka dhe Pandeli Majko kanë konfirmuar se së paku teknikisht është arritur dakordësia pas tërheqjes së mazhorancës e cila ka pranuar në masën 90% draftin e opozitës.
Por deputeti Pandeli Majko ripërsëriti edhe një herë kërkesën e PS-së për ndërhyrje të tjera në kushtetutë për reformimin e drejtësisë. “Do të vijojmë me hapat e mëtejshëm dhe shpresojmë të kemi vullnet. Nuk vëmë kushte duam të kemi debat publik me PD-në si për nenet për imunitetin. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera. Kushtetuta nuk i përket partive politike, por publikut” ka theksuar Majko.
Tashmë mbetet për tu parë nëse konsensusi do të finalizohet në seancën e 6 gushtit me votimin pro imunitetit dhe për këtë nuk mjafton vetëm dakordësia teknike, por një vendimarrje nga liderët e PD-së e PS-së.