Imuniteti, nis mblidhja e Këshillit të Legjislacionit

Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni i Ligjeve, mblidhen sot në orën 17:00 për të diskutuar në lidhje me draftit e dakordësuar më herët nga të dyja palët për heqjen e imunitetit.
Më herët mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensus për draftin që do të kufizojë imunitetin e deputetëve dhe gjyqtarëve. Dy relatorët e projekligjit Edi Paloka dhe Pandeli Majko kanë konfirmuar se së paku teknikisht është arritur dakordësia pas tërheqjes së mazhorancës e cila ka pranuar në masën 90% draftin e opozitës.
Por deputeti Pandeli Majko ripërsëriti edhe një herë kërkesën e PS-së për ndërhyrje të tjera në kushtetutë për reformimin e drejtësisë. “Do të vijojmë me hapat e mëtejshëm dhe shpresojmë të kemi vullnet. Nuk vëmë kushte duam të kemi debat publik me PD-në si për nenet për imunitetin. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera. Kushtetuta nuk i përket partive politike, por publikut” ka theksuar Majko.
Tashmë mbetet për tu parë nëse konsensusi do të finalizohet në seancën e 6 gushtit me votimin pro imunitetit dhe për këtë nuk mjafton vetëm dakordësia teknike, por një vendimarrje nga liderët e PD-së e PS-së.