E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti, Shehu: PS të kthehet në racionalitet, të votojë projektligjin

Vetëm pak minuta nga nisja e punimeve të seancës parlamentare për votimin e heqjes së imunitetit deputeti i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje dhe njëherë deputetëve të Partisë Socialiste të kthehen në racionalitet dhe të japin votën e tyre pro kalimit të këtij projektligji. Në një prononcim për Ora News Shehu vlerësoi se cdo bllokim i mundshëm nga ana e PS bie ndesh me interesat e vendit si dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat.
 

“ Është një projektligj i ndryshuar sipas vullnetit të kolegëve të PS, një draft ligjor miratimin e të cilit e kërkojnë interesat e vendit, e presin ndërkombëtarët dhe qytetarët shqiptarë, nuk ka asnjë arsye për ta bllokuar apo zvarritur, pasi bie ndesh me luftën kundër korrupsionit, bie ndesh me zhvillimet e vendit dhe rrugën europiane, pjesë e të cilës Shqipëria synon të bëhet. Do të ishte një papërgjegjshmëri e madhe nga ana e PS”u shpreh Shehu.
 

Ndërsa duke u ndalur në klauzolën që përmban mosvotimi i këtij ligji, ku një bllokim i mundshëm i tij sot do të kërkonte dhe një vit për një votim të dytë rreth tij, deputeti demokrat theksoi se statusi është në pikëpyetje dhe PS duhet të reagojë qoftë dhe në minutën e fundit të kësaj seance parlamentare.
 

“Ky është ligj kushtetues dhe kërkon 92 vota, nëse nuk votohet shtyhet gjatë votimi i tij. PS duhet ta votojë pasi fundja është ligji i tyre, ky ligj është rrahur në cdo pikë dhe presje të tij. Shpresoj që minutën e fundit të kthehet në racionalitet dhe ta votojë”tha ai.
 

Më herët deputetët e Partisë Socialiste u mblodhën në selinë rozë, ku u vendos të shkohet në sallën e kuvendit, për tu bërë pjesë e debatit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›