Seanca, Berisha: Dilni nga mburoja, votoni imunitetin

Ashtu sic edhe pritej seanca e sotme ka nisur me debate të nxehta lidhur me projektligjin për heqjen e imunitetit. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në replikë me zotin. Xhafa akuzoi deputetët e opozitës se po tentojnë bllokimin e projektligjit nga frika e hetimit. Duke e konsideruar datën 6 gusht, si një datë të përcaktuar nga votimi i Parlamentit shqiptar, Berisha shtoi gjithashtu se PS me pretendimet e saj synon kapjen e shtetit dhe bllokimin e institucioneve kushtetuese. Kryeministri nuk ka lënë pa ironizuar edhe zotin. Rama, ku u shpreh se gjithë kjo situatë është produkt i tij, i cili nuk njeh fitore, vetëm disfatë.
“Nuk keni vullnet të hetoheni, kjo është sa i përket marrëveshjes dhe kërkesës. Ky parlament ka një regjistrim të plotë zanor,me 12 korrik u votua se do të jetë data 6 gusht që do votohen amandamentet e Kushtetutës. Nuk duhet ta shndërrojmë këtë seancë në një seancë mashtrimi, ju bllokoni sot për të bllokuar statusin për të tretën herë. Përcaktoni si kusht që ne të pranojmë që ju të kapni shtetin ose të bllokoni institucionet kushtetuese, Presidentin e morën ata kishin votat. Të kërkosh që kryetari i gjykatës Kushtetuese, gjykatës së lartë, prokurori i përgjithshëm, kreu i KLD, dhe Presidenti të votohen me 3/5 ky është model absurd. Ju doni sundimin e pakicës, se Kryetari juaj ju con nga disfata në disfatë unë nuk mund të bëhem lider i juaji dhe atë s`mund ta bëj lider, ai nuk di c`është fitorja. Ne vimë sot këtu pas një debati 10 vjecar, vimë këtu pasi kemi pranuar ato që ju keni sugjeruar dhe propozuar” tha ai.
Kryeministri Berisha ka kundërshtuar zotin. Xhafa edhe lidhur me faktin se imuniteti nuk ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit mes forcave politike, duke kërkuar nga deputetët e PS të mos dizinformojnë opinionin publik.
“Zoti. Xhafa ju tha shqiptarëve se nuk ka qenë imuniteti dhe heqja e tij se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së nëntorit midis forcave politike. Keni qenë Ministrër i Drejtësisë kur ju keni pranuar dhe firmosur me KiE marrëveshjen në 2004 se do të hiqni imunitetet dhe ajo marrëveshje është detyruese aq sa është dhe anëtarësimi në KiE. Por meqenëse morët këtu shembullin e Rumanisë apo shembull tjetër është mirë tu themi shqiptarëve se Brukseli cdo vit e më shumë thellon kërkesat ndaj atyre vendeve që duan të shkojnë drejt tyre. Ne qëndrimet mund ti mbajmë si të duam, por jo të dizinformojmë” u shpreh Kryeministri.
Duke theksuar se heqja e imunitetit nuk është një favor ndaj kësaj qeverie, Berisha shtoi se nëse PS bllokon heqjen e imunitetit do të jetë një faturë të cilën do ta paguajë nga qytetarët shqiptarë gjatë zgjedhjeve elektorale.
“Ju ishit të bindur se nuk do të pranomim propozimet tuaja, por ne zgjodhëm të keqën më të vogël, unë e dija se ju nuk do të pranonit kontrollin e banesave se aty flejnë eurot ne e pranuam, kërkuat të mos arrestohet deputeti pa u votuar në parlament, ne e pranuam. Por ne nuk mundim të bindim kurrë Kryetarin tuaj të mos bllokojë për të tretën herë marrjen e statusit. Doni të bllokoni, bllokoni, unë nuk kërkoj favore dhe as ndere ju, ne u tërhoqëm nga varianti ynë. Tani ju kërkoni që ose të votohet Kushtetuta e pakicës ose ju bllokoni statusin. Ju mendoni se kjo dëmton Qeverinë, sigurisht që po, jo vetëm kaq por të gjithë qytetarët shqiptarë, por kur vjen puna në rrafshin elektoral ju do ta paguani nga qytetarët shqiptarë. Ju ju duhet mburoja për tu mbrojtur” tha Kryeministri Berisha.