Imuniteti i Mediut, Kuvendi shtyn shqyrtimin e kërkesës
Kuvendi nuk e ka kaluar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu, por i ka kërkuar Kryeprokurores dokumente shtesë, duke e vonuar kështu procedurën edhe për javën e ardhshme. Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit ka nisur dje zyrtarisht procedurat ligjore për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, e cila kërkon heqjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Mbledhja është bërë me dyer të hapura dhe Kryetarja e Kuvendit, pasi ka vënë edhe njëherë në dijeni komisionin me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, i ka kujtuar Këshillit të Imunitetit nenin 118 të rregullores së Kuvendit, e cila i lejon Parlamentit shqyrtimin e kësaj kërkese dhe më pas paraqitjen e saj në sallën e Kuvendit për heqjen e imunitetit, pasi të jetë shprehur edhe deputeti Mediu. Topalli ka theksuar gjithashtu se në përputhje me këtë nen të rregullores së Kuvendit, ajo, nëpërmjet një shkrese zyrtar, ka vënë në dijeni deputetin Mediu për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe i ka kujtuar kreut republikan se ka të gjithë hapësirën e duhur që ai të paraqitet në komision për të dhënë zyrtarisht variantin e tij në lidhje me akuzat e ngritura nga organi i akuzës qendrore. Këtu ka ndërhyrë kryetari i grupit të PR-së, Arian Madhi, i cili është anëtar i Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit. Ai i ka bërë thirrje Kryetares Topalli që t‘i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme që të paraqesë në mënyrë të detajuar dokumentet që duhet të shoqëronin kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu. Topalli e ka pranuar parimisht këtë propozim, por i ka kërkuar deputetit Madhi që kërkesa e tij të paraqitej edhe me shkrim, e cila më pas do t‘i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme. Mbledhja e djeshme ka qenë e para për Këshillin e Rregullores dhe Imunitetit, i cili është mbledhur pas kërkesës së prokurorisë, ndaj anëtarët e saj në mënyrë unanime kanë rënë dakord që të mos hapin debate për këtë çështje pa ardhur më parë dokumentet nga organi i akuzës, në bazë të së cilave ajo kërkon nga Kuvendi që të nisë procedimin për heqjen e imunitetit të deputetit republikan. Kjo është kërkesa e dytë brenda pak muajve që organi i prokurorisë bën për heqjen e imunitetit të një deputeti. Pak kohë më parë ishte deputeti i PD-së, Lulzim Basha, i cili u përball me një situatë të tillë dhe ai ashtu si deputeti Mediu akuzohej për shpërdorim detyre gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Mediut erdhi pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec, ku një depo demontimi e armëve shpërtheu duke shkaktuar një tragjedi të paparë për Shqipërinë, e cila u shoqërua me 26 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra shtëpi dhe ndërtime të prishura. Pas këtij shpërthimi u zbulua edhe një trafik i madh armësh që ishte bërë për vite me radhë në vendin tonë dhe për këtë, sipas prokurorisë, paraprakisht rezulton se kanë pasur dijeni edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Tashmë prokuroria po heton mbi këtë ngjarje dhe pjesë e këtij hetimi do të jetë edhe deputeti i PR-së, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ky i fundit, gjatë prononcimeve të tij për mediat, ka theksuar se nuk ndihet fajtor dhe se nuk ka bërë ndonjë praktikë e cila bie ndesh me Kushtetutën. Por sesa të vërteta janë këto deklarata dhe se cili është fajtori real i gjithë kësaj tragjedie, kjo mbetet për t‘u parë në ditët në vazhdim. Ndërkohë që partitë politike pas njohjes me kërkesën e Kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të Mediut janë shprehur pro saj.
Prokuroria bën gati provat që kërkon Kuvendi
Organi i akuzës reagon menjëherë dhe kërkon procedura të përshpejtuara
Prokuroria e Përgjithshme është e gatshme t‘i servirë Kuvendit të Shqipërisë pjesërisht dokumentacionin që hedh dritë mbi "shpërdorimin e detyrës" të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen "Gërdeci". Pas dorëzimit të kërkesës për heqjen e imunitetit, Parlamenti vendosi t‘i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme dokumentet që duhet të shoqëronin kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Në mbledhjen e parë të tij Këshilli i Imuniteteve, me përbërje nga mazhoranca dhe opozita, ra dakord të mos hapë diskutimin në këshill, derisa Prokuroria e Përgjithshme të zbatojë rregulloren e Kuvendit dhe të dërgojë dokumentet në bazë të së cilave kërkon autorizimin e Kuvendit për ndjekjen penale të deputetit Mediu. Megjithëse janë shprehur bashkëpunues me Kuvendin, organi i akuzës deklaron "nën zë" se procedurat për heqjen e imunitetit duhet të jenë të përshpejtuara, pasi vonohet hetimi i ngjarjes tragjike të 15 marsit në Gërdec, i cili i mori jetën të paktën 26 personave. Vartësit e Ina Ramës po vijojnë në verifikimin e të gjitha dokumenteve nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nga Ministria e Mbrojtjes për të gjetur shkaktarët që miratuan "fabrikën e vdekjes", ku dyshohet se ish-ministri i Mbrojtjes ka shpërdoruar detyrën. Në datën 25 prill 2008 Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane dhe ish-ministër i Mbrojtjes. Sipas Kryeprokurores Ina Rama, hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec.
Prokuroria thotë se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private të përfshira në këtë proces, ka shmangur mbikëqyrjen ushtarake të Forcave të Armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar disa urdhra. Në një prej tyre është kryer kalimi kapital i pronës ku po zhvillohej procesi i çmontimit, në administrim të ndërmarrjes MEICO, e cila e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC- ALBADEMIL pa qira. Sipas akuzës, shpërfillja e standardeve të sigurisë dhe zbatimit të rregullave gjate këtij procesi, veç të tjerave, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, duke shmangur FA nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit që do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake. "I gjithë ky proces i parregullt administrativ, i urdhëruar nga Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë SAC-ALBADEMIL, të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces", deklaron akuza qendrore.