Lesi: Kush bëhet ministër, të mos ketë imunitet
Të gjithë "pro" për dorëzimin e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu. Pas qëndrimit të dy partive të mëdha dhe aleatëve të tyre lidhur me çështjen më të nxehtë të politikës sonë, ka reaguar edhe kreu i lëvizjes Demokristiane, Nikoll Lesi. Kreu i LDK-së ka prezantuar dje nismën e heqjes së imunitetit për ministrat në detyrë. "Nëse një ministër akuzohet, ai duhet të hetohet pa qenë nevoja e votimit", u shpreh Lesi. Propozimi i Lesit bashkohet me mendimin e disa deputetëve demokratë, të cilët kërkojnë që të ndryshohet ligji, në mënyrë që të mos krijohet zhurma dhe të zbatohen procedurat e zgjatura në Kuvend lidhur me heqjen e imunitetit të një ministri, deputeti apo zyrtari të lartë. Një nga idetë më të mundshme të mazhorancës është dorëzimi i pjesshëm i imunitetit, ku në këtë rast përfshihet edhe kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu. "Kush bëhet ministër, duhet të mos ketë imunitet, të humbë imunitetin për çdo akuzë. Çdo prokuror ka për detyrë ta marrë atë si të pandehur dhe nuk ka nevojë të sjellë kërkesë në Kuvend", tha Lesi duke mbështetur në këtë mënyrë atë çka ka propozuar një pjesë e Partisë Demokratike disa ditë më parë. Mazhoranca është në një qëndrim të bashkuar se tashmë ka ardhur koha që në Parlament të paraqitet projektligji për heqjen e imunitetit të deputetit. Deputetë të mazhorancës theksojnë se nuk janë për një zhveshje të plotë të deputetit nga imuniteti, por në mënyrë të pjesshme të tij. "Ju e dini që mazhoranca ka paraqitur një projekt për çështjen e imunitetit, që kishte në thelb ruajtjen e imunitetit në rastin kur kërkohet autorizim për arrest dhe heqjen dorë nga imuniteti kur kërkohet autorizim për hetim, dhe ne vazhdojmë të jemi akoma në këtë vendim", është shprehur Preç Zogaj. Mazhoranca është duke lobuar që opozita të pranojë opsionin e saj për miratimin e këtij ligji, në mënyrë që të mos bëhet shumë zhurmë sa herë që prokuroria kërkon të hetojë një person VIP të politikës dhe administratës shqiptare. Mazhoranca ka paraqitur një projekt për çështjen e imunitetit, që kishte në thelb ruajtjen e imunitetit në rastin kur kërkohet autorizim për arrest dhe heqjen dorë nga imuniteti.