E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani i kërkon shpjegime Pollos për Fizikën Bërthamore

Në zyrën e Avokatit të Popullit janë ankuar punonjësit e Qendrës së Fizikës Bërthamore të Zbatuar, lidhur me disa problematika që janë shfaqur gjatë reformimit të kësaj qendre dhe që kanë sjellë, sipas pretendimit të tyre, shkelje të të drejtave. Sipas shpjegimeve, në vitin 2007 nga ky institut është hartuar një plan pune veprimi për vitin 2008, me një numër studimesh dhe projektesh, shumë nga të cilat me kooperimin, mbështetjen financiare apo rekomandimet e organizatave të rëndësishme të vendit. Për sa më sipër, qendrës nuk i është caktuar asnjë buxhet për asnjë nga veprimtaritë më minimale që garantojnë ekzistencën normale dhe operativitetin e një institucioni. Si rezultat i kësaj janë paralizuar plotësisht veprimtaritë e qendrës. Punonjësit ankohen te Dobjani se nuk kanë marrë rrogën në vitin 2008. Për këtë problem, Avokati i Popullit i shkruan ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, nëse është i vërtetë pretendimi i ankuesve, se për këtë qendër nuk është caktuar asnjë buxhet, nëse janë zbatuar dispozitat e Kodit të Punës, për të respektuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet mbi baza ligjore të veprimeve të ministrisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›