E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i Mediut, rast tjetër i gatishmërisë së mazhorancës për transparencë

Senca plenare e pasdites së sotme, do të ketë në axhendën kryesore të diskutimeve heqjen e imunitetit të deputetit republikan, ish- ministër i Mbrojtjes Fatmir Mediu, pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, lidhur me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec. Gjatë ditëve të kaluara, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli rikonfirmoi për diskutimin e kësaj çështje në seancën plenare të radhës, pra të ditës së sotme. Ndërkohë, që sot, gjatë paradites, anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve do të njihen me raportin e hartuar për këtë çështje, i cili do t’i paraqitet për votim seancës parlamentare. Ka kaluar tashmë plot rreth një muaj e gjysmë nga dita kur Prokuroria e Përgjithshme i’u drejtua Kuvendit me kërkesën zyrtare për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetit Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, lidhur me përgjegjësinë e tij në aksidentin e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën disa dhjetëra të tjerë. Pas kësaj, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve është mbledhur disa herë, bazuar në procedurat që parashikon rregullorja e parlamentit, për të vendosur më pas për kërkesën e organit të akuzës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu. Ky i fundit, në seancën plenare të 5 qershorit kërkoi nga Kuvendi që të votojë pa vonesë për heqjen e imunitetit të tij si deputet. Kryetarja e Kuvendit, Topalli njëherazi kryetare e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, në përgjigje të akuzave të deputetëve të majtë, ka ripërsëritur qëndrimin e vendosur të mazhorancës për heqjen brenda dy javësh të imunitetit të Mediut, por edhe për miratimin e nismës ‘për heqjen e imunitetit’, të të gjithë deputetëve dhe personave të tjerë me imunitet, si gjyqtarë, prokurorë, etj. Që nga momenti i ardhjes në Kuvend të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve ka proçeduar në vijimësi për shqyrtimin e saj dhe marrjen më pas të vendimit përfundimtar në seancë plenare.
Kryeparlamentarja Topalli: Imuniteti i Mediut, vendimi do të merret në seancën plenare/E pranishme në çeljen e sezonit turistik në Velipojë gjatë ditës së djeshme, kryparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh në lidhje me seancën e sotme të kuvendit, ku pritet të hiqet imunitetit i deputetit Fatmir Mediu. Topalli theksoi se gjatë seancës do të lexohet raporti, më pas do t’i jepet fjala ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, për të kaluar më pas menjëherë në votimin e deputeteve për heqjen e imunitetit të tij.
Pas imunitetit të Mediut, politika të reflektojë për miratimin e ligjit të kufizimit të imunitetit/Pas imunitetit të Mediut, votim që pritet të kryhet sot në seancën plenare të pasdites, duhet të reflektojë politikish edhe si një hap për të proceduar më tej në cështjen politike për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Nisma e Partisë Demokratike, për kufizimin e imuniteteve, si një nismë shumë e rëndësishme për vetë politikën dhe integrimin e vendit, shumica parlamentare ka treguar vullnet të gjithanshëm për ta mbështetur tërësisht. Por edhe përkundrejt, ecejakjeve të opozitës, që ka paraqitur edhe disa elementë të tjerë, që do të paraqiten për miratimin së bashku me kufizimin e imunitetit, mazhoranca ka bërë me dije se nuk është e rëndësishme rruga që do të përdoret për të kufizuar imunitetin, e rëndësishme është që deputetët të ishin të barabartë përpara ligjit me qytetarët. Në këtë këndvështrim, Partia Demokratike ka shprehur gatishmërinë për mbeshtetjen e ligjit për kufizimin e imunitetit. Por, përpos, miratimit të ligjit për kufizimin e imunitetit, duhet të bëhet pjesë edhe e një amendimi të mundshëm të Kushtetutë. Pra, për kufizimin e imunitetit nuk përjashtohet edhe ndryshimi i Kushtetutës, apo çdo ndryshim ligjor që do të gjykohet i nevojshëm për arritjen e qëllimit që ka kjo nismë. Ndërkaq, në komisionin e ligjeve nuk është paraqitur nisma në fjalë, pasi janë vetëm grupet politike që e kanë ndërmarrë atë. Nga ana tjetër, opozita është treguar më e rezervuar për cështjen e kufizimit të imunitetit të deputetëve, madje duke iu frikësuar ndjeshëm kësaj cështjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›