E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina del nga rruga prej shpejtësisë, vdesin dy vetë

VLORË- Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur dje në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur dje në orët e para të ditës, ku rreth orës 04.00 të mëngjesit tre persona në automjetin tip fiat me targa Italiane BZ 415 NH ngjyrë të bardhë ishin duke dalë nga Vlora në rrugën kombëtare Vlorë-Fier dhe në vendin e quajtur Plepat makina i ka dalë jashtë kontrollit drejtuesit të mjetit. Humbja e kontrollit të automjetit si dhe shpejtësia e madhe e tij ka bërë që makina të dalë nga rruga dhe të përplaset me një pemë anës rrugës. Përplasja ka qenë fatale, pasi dy pasagjerë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Në automjetin tip Fiat Punto udhëtonin tre persona, shoferi Sami Hasani 28 vjeç së bashku me bashkëshorten e tij 23-vjeçaren Klaudja Hasani 23 vjeç dhe nipin e tij Edi Hasani 15 vjeç. Nga përplasja kanë humbur jetën Klaudja Hasani si dhe nipi i shoferit Edi Hasani 15 vjeç. Policia rrugore e cila ka shkuar në vendngjarje ka bërë këqyrjen e vendngjarjes si dhe ka nxjerrë dhe shkakun e aksidentit, i cili sipas tyre ka qenë shpejtësia e madhe si dhe dalja nga rruga e automjetit. Dy të vdekurit janë nisur nga kalimtarët e rastit në spitalin e Vlorës dhe me pas në morgun e spitalit të qytetit, ndërsa 28-vjeçari po kurohet në sallën e reanimacionit për plagët e marra nga aksidenti, por sipas mjekëve gjendja e tij ka kaluar atë të rrezikut për jetën. E.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›