Imuniteti,Topi apel partive:Urgjent reformimi
TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi ka theksuar sot se vendi ka nevojë urgjente reformimin e imunitetit, jo vetëm si domosdoshmëri në kuadër të procesit të integrimit, per te luftuar korrupsionin, por që barazia para ligjit të mos jetë vetëm parim i vënë në Kushtetutë.
Në konferencën për kufizimin e imuniteteve, organizuar nga EURALIUS, Topi ka theksuar se takimi i dedikohet një teme shumë të rëndësishme dhe themelore për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, sistemit të imuniteteve dhe reformimit të tij.
Sipas presidentit Topi, barazia para ligjit duhet të jetë e realizuar dhe sa më e prekshme. Vende të tjera evropiane e kanë bërë vite më parë, le ti bashkohemi atyre. Reformimi është nevojë për zhvillimin e vendit, synim që i shërben qeverisjes demokratike dhe transparente. Ka ardhur koha të dalim nga frazeologjitë, deklaratat dhe vendimarrjet e njëanshme, mendoj se dy proces duhet konsideruar si sfidë e gjithë partive dhe kërkohet vullnet i përbashkët, konsensus për reformën- tha Topi.
Ai kërkoi që të gjendet sa më parë gjuha e përbashkët për të evituar që mosmarrëveshjet politike të ngadalësojnë diskutimet për imunitetet. Vlerësoj se është e nevojshme që Kuvendi të fillojë nga puna që në dritën e reformave kushtetuese dhe rekomandimeve të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e imuniteteve në vend- tha ai.