E Diel, 1 Nëntor 2026

In memoriam për mjeshtrin e sonetit, poetin Enver Gjerqeku

Para pak ditësh ndrroi jetë poeti Enver Gjerqeku. Kujtimet e mia me Enver Gjerqekun lidhen përmes librave të leximit në shkollë fillore dhe të mesme. Kontakti im i drejtpërdrejtë me poetin Enver Gjerqeku ishte në ditët e mia studentore. Në vitin 1984 kur unë sapo kisha filluar vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore patëm themeluar Grupin Letrar “Pjetër Bogdani”. Si kryetar i parë i këtij grupi letrar organizoja mbrëmje letrare të cilat mbaheshin në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik. Mëqë pas demonstrative të vitit 1981 manifestimet kulturore ishin të pakta në numër, këto mbrëmje letrare ishin një ngjarje kulturore që tërhiqte gjithë njerëzit që nga elita letrare e kohës e deri të mësuesit e arsimtarët nëpër fshatra të largëta të Kosovës. Salla e cila asokohe kishte 680 ulëse ishte tepër e vogël për të zënë dashamirët e poezisë në çdo rast. Shumica e publikut qëndronin në këmbë. Publiku priste me ovacione të mëdha hyrjen e figurave të letrave shqipe të kohës të cilët nuk u mungonin pothuaj kurrë këtyre mbrëmjeve letrare: Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Ibrahim Rugova, Engjëll Sedaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Nuhi Vinca, Agim Vinca, Agim Mala, Jusuf Buxhovi, etj. Si organizator, shpesh ndodhesha në pozitë të palakmueshme kur publiku
nderonte ta zëmë më shumë ndonjë poet tjetër se sa Esad Mekulin i cili ishte dhe mbetet babai i letersisë shqipe në ish-Jugosllavi dhe që duhej dhënë respekti në mos për këtë fakt të rëndësishëm, të paktën për faktin tjetër se ishte më i vjetri për nga mosha. Por si ta dirigjoje publikun prej mijëra vetave? Kjo ishte e pamundur. Mbrëmja e cila më së shumëti më ka lënë përshtypje ishte ajo e vitit 1986. Mbrëmja letrare po i kushtojej 120 vjetorit të lindjes së Ndre Mjedjes. Në sallën e stërmbushur ovacionet renditeshin njeri pas tjerit sapo futeshin poetët dhe shkrimtarët e njohur. Pas një ovacioni të tillë për Mirko Gashin dhe Esad Mekulin që u futën në sallë pothuaj njëkohësisht në portën e sallës u paraqit poeti Enver Gjerqeku. Në sallë filluan vërshëllimat. Ishte hera e parë që ndodhte kjo gjë. Arsyen e kuptova menjëherë. Në atë kohë poeti Enver Gjerqeku sapo ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror të LKJ-së. Studentët kosovarë në atë kohë ishin tej mase të joshur pas Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës. Kjo ishte arsyeja e vërshëllimave të tyre. Si njeri jokonformist që isha, plus përgjegjësinë që kisha ndaj mysafirit që e kisha ftuar dhe që kish pranuar të vinte tek pas lutjeve të mia të shumta, zbrita nga podiumi dhe shkova i zgjata dorën e mirëseardhjes Enver Gjerqekut. Ky ishte një gjest respekti që zakonisht nuk e bëja asnjëherë për askend, për shkakun se mysafirët ishin të shumtë dhe nuk u kushtoja kujdes asnjëherë këtyre ceremonive të mikpritjes. Kjo gjë pakësoi vërshëllimat. Këto vërshëllima u ndalen tek kur Esad Mekuli bëri të njëjtën gjë pas meje, e përqafoi dhe i ofroi vendin pranë tij. Bëra hapjen e zakonshme të mbrëmjës letrare dhe fjalën hyrëse për veprën e Ndre Mjedës ua dhashë fillimisht Hasan Mekulit e më pas Ibrahim Rugovës. Vijova me prezantimin e poetëve dhe studentëve poetë por gjatë gjithë kohës e kisha hallin se si do të jetë reagimi kur do ta ftoja në podium Enver Gjerqekun. Vetë poeti Enver Gjerqeku me dergoi një copë letre ku po më thoshte që mos ta ftoja. Disa nga anëtarët e kryesisë së klubit letrar po më shkruanin të njëjtat sugjerime. Unë megjithatë vendosa ta çoj deri në fund. Para se t’i ftoja për leximin e punimeve të tyre zakonisht u bëja njëfarë prezantimi përmes vargjeve apo titujve të veprave të tyre. Në momentin kulminant të mbrëmjes vendosa ta ftoj në podium Enver Gjerqekun. Nisa me vargjet e Ndre Mjedjes: “Bylbyl, ky shekull/orë e çast ndërrohet/Bijnë poshtë t’naltit/I vogli çohet”.
Në këtë moment shpërthyen ovacionet në sallë, ndoshta jo pse këto ishin vargjet e famshme sa për faktin se ato kishin tigëllëllim revolucionar që asoconte në atë se do të binte pushteti jugosllav. Pas një gjatësie enorme të duartrokitjeve vazhdova me strofën e dytë të poezisë së Mjedjes: “Krajlitë më të mëdha/Kanë nisë me u rrëzu/Fillo me u gëzu”. Këtu ovacionet shpërthyen serisht akoma më të mëdha. “Krajlitë me u rrëzu” ishte tanimë fjalë që ndizte masën në trans. Pas një disaminutshi të duartrokitjeve e ngritjeve në këmbë të publikut vazhdova me prezantimin: “Ishin këto vargjet e Ndre Mjedjes i cili në letërsinë e traditës njihet si mjeshtër i sonetit”. Prapë ovacione edhe më të mëdha. Vazhdova më tej: “Në letërsinë tonë bashkëkohore një poet i yni, mysafir i yni i sontëm, gjithashtu njihet si mjeshtër i sonetit. Ftoj në podium mjeshtrin e sonetit, poetin Enver Gjerqeku me poezinë “Bukuria e Tanushës”. Në këtë moment kulminant shpërthyen duartrokitjet më të mëdha të dëgjuara ndonjëherë në Sallën e Kuqe. Poetin Enver Gjerqeku e kapluan lotët. Nuk mund të fillonte leximin e poezisë. Publiku serish shpërtheu në ovacione disa herë radhazi derisa poeti e mori vetën. Ky moment mbeti i paharrueshëm në kujtesën time dhe në atë të poetit Enver Gjerqeku. Në mbrëmjet vijuese letrare Enver Gjerqeku ashtu si edhe poetët e tjerë nuk hezitonte t’i përgjigjej ftesës. Duartrokitjet për të shpërthenin që me paraqitjen e tij në sallë. Takimi im i fundit me Enver Gjerqekun ishte këtë vit në panairin e fundit të librit në Prishtinë. Ma kujtoi se ajo ditë Marsi e vitit 1986 kishte qenë për të trishtimi dhe gëzimi më i madh në jetën e tij. Enver Gjerqeku është sigurisht njëri ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Vendi i tij në elitën intelektuale të Kosovës sigurisht është i madh për rrolin që ka luajtur në një kohë të vështirë të historisë së Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›