E Shtunë, 31 Tetor 2026

117-vjetori i ditëlindjes së priftit, poetit e prozatorit shqiptar Dom Ndre Zadejës.

Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtark në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane të beatifikimit. Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist. Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grî Dom Ndrenë!".
E tani, kur për emrin e tij flitet si për atë të një të lumturi të ardhshëm, urojmë që në një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, që pas më se një gjysëm shekulli janë shtrembëruar edhe më keq se atë ditë kur plumbat i grabitnin një nga bijtë më të mirë, të ndjehet një zë i hareshëm. "Po naltohet në elter Dom Ndreu, martiri që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës! Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit. E ndërsa vijon polemika për disidencën, figura madhore e Don Ndreut, Meshtarit, Poetit e Atdhetarit që i tha "jo" diktaturës, na kujton se disidentët e vërtetë, të cilët nuk munguan, iu kundërvunë pa asnjë kompromis, regjimit gjakatar të Enver Hoxhës deri në vdekje, për të merituar nderimin më të lartë: atë të lartimit në elter!
Meditim për muajin kushtuar të vdekurve/Një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, më 2 nëntor, Kalendari liturgjik na fton të përkujtojmë besimtarët e vdekur, të cilëve u kushtohet gjithë muaji në vijim. Pse Kisha i kremton pranë e pranë këto dy festa? ǒlidhje ka ndërmjet tyre? “Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që priren nga Parajsa, që janë në Purgator. Purgatori është shtëpia e gëzimit, sepse - paradhomë e Parajsës. Dikush ka thënë se Purgatori është si një kurs i gjatë ushtrimesh shpirtërore, para se të pranohemi në festën e shenjtorëve. Ata që janë në pritje të Parajsës, gjithë të vdekurit që i përkujtojmë gjatë nëntorit, janë njerëz që jetojnë në bashkim me ne. Ne mund të lutemi për ta e ata për ne. Prandaj është prekëse të kujtosh të gjithë shpirtrat që nuk janë në festën e plotë të Parajsës, por presin akoma në paradhomë. Ta ndjesh bashkimin me ta, të lutesh për ta e të dish se edhe ata mund të ndërmjetësojnë për ne, edhe kjo është një arsye që na shtyn të mos ndjehemi kurrë të vetmuar. Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna. Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta. Kishte të drejtë Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”. I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›