E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Gjyqësori pengesë në luftën kundër korrupsionit

Numri një i Prokurorisë së Përgjithshme tërheq vëmendjen ndaj gjyqësorit, duke e akuzuar për mosmbështetje e mosbashkëpunim në nivelin që duhet. Ina Rama për Zërin e Amerikës është shprehur se gjyqësori përmes vendimeve të dhëna, në shumë raste ka cuar në uljen e agresivitetit të Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit.

“Ne kemi tentuar të fokusojmë vëmendjen tonë edhe në nivele të larta. Kemi guxuar dhe kemi ngritur akuza ndaj zyrtarëve të lartë duke dashur të japim mesazh që fenomene të tilla nuk do tolerohen, janë ngritur akuza edhe në nivele të ulëta. Nuk më pëlqen të bëj kreun e institucionit që hedh fajin në institucione të tjera. Gjyqësori na ka ulur agresivitetin ndaj korrupsionit ose rezultatet që duam të vjelin, kemi ngritur akuza dhe nuk kemi marrë produktin final me vendim ndëshkimi, kjo është situatë reale”- tha ajo.
 

Ajo ka përmendur tre cështjet ndaj zyrtarëve të lartë, dy për shpërdorim detyre dhe tjetra për korrupsion, që nuk janë dhënë në favor të akuzave, të cilat Ina Rama i cilësoi vendimmarrje të gabuara, për të cilat Prokuroria nuk ka mundësi ankimi.
 

E pyetur lidhur me hetimet e ngjarjes së 21 janarit kryeprokurorja vlerësoi punën e Prokurorisë, duke theksuar se përmes asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bë një punë e mirë, duke identifikuar autorët e vrasjes së 3 demonstruesve.

Më tej ajo theksoi se hetimi për 21 janarin vijon me mbledhjen e provave për sa i përket fazës së dytë të ngjarjes, që lidhet me organizatorët e demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›