E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Luftë krimit brenda dhe jashtë kufijve

Prokurorët e Europës së Juglindjes mblidhen në Tiranë për të mbajtur takimin e 13 të tyre. Kryeprokurorja shqiptare Ina Rama përshëndeti takimin duke kërkuar që lufta kundër krimit të mos kornizohet brenda kufijve të secilit vend 

TIRANE-Nisi sot në Tiranë takimi i 13-të i Grupit Këshillimor të Prokurorëve të Evropës Juglindore SEEPAG (South East European Prosecutor Advisory Group). Takimi që do të zgjasë dy ditë është përshëndetur sot edhe nga Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama. Sic bën të ditur zyra për shtyp e Prokurorisë së Përgjithshme, në fjalën e saj znj. Rama theksoi se një ndër prioritetet kryesore të punës së organit që ajo drejton është nxitja e bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të rajonit si përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar ndërkufitar.
“Sukseset apo dështimet e një vendi në luftën kundër krimit të organizuar nuk mund të jenë të shkëputura nga sukseset apo dështimet e vendeve përreth tij. Në kontekstin e ri ndërkombëtar të krijuar pas viteve 90-të askush nuk mund të pretendojë suksesin duke luftuar krimin e organizuar brenda kufijve të vendit të tij.’’ – theksoi Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Ina Rama.
Kryeprokurorja vlerësoi përpjeket e SEEPAG-ut për të ndërtuar dhe forcuar një marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë për të luftuar krimin e organizuar ndërkufitar.
Shqipëria është momentalisht presidente e radhës e SEEPAG-ut. Takimi i tanishëm pason atë të 26-27 qershorit 2008 të zhvilluar në Durrës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›