E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, i jep “ok” lirimit të Deliut

10/07/2009  35-vjeçari nga Otllaku i Beratit dje ka lënë qelinë dhe i është bashkuar familjes së tij

Ekzekutohet menjëherë vendimi edhe pse nga Gjykata e Lartë ishte bërë gabim emri

TIRANE- Ka marrë fund drama e shtetasit Petrit Deliu, i cili për 6 muaj me radhë u mbajt në mënyrë të padrejtë në burgun e Kosovës. Dje ai ka mundur të kapërcejë portën e hekurt të këtij burgu, duke u bashkuar më pas me anëtarët e familjes që prej kohësh e prisnin lirimin e të afërmit të tyre. Babai i dy fëmijëve që ndodhen në komunën Otllakë të rrethit të Beratit, tashmë i është bashkuar familjes së tij, duke u munduar të harrojë plotësisht vuajtjet dhe peripecitë që ka hequr gjatë kohës së qëndrimit në burg. Skandali i qëndrimit në mënyrë të padrejtë për 6 muaj në burg të 35-vjeçarit Deliu, u investigua nga gazeta “Metropol”, ka pas një seri faktesh të botuara, kanë reaguar menjëherë drejtuesit e Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Përgjithshme si dhe Avokati i Popullit. Duke lënë mënjanë “konfliktet” midis tyre, Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë kanë mundur të gjejnë vendimin dhe ta ekzekutojnë menjëherë atë, duke ja dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Mësohet se ka qenë vetë Kryeprokurorja Ina Rama, e cila pasi është vënë në dijeni për skandalin, ka urdhëruar në mënyrë të menjëhershme që rasti i Petrit Deliut të verifikohet, dhe qytetari nga Berati të lirohet nga qelitë e burgut. Të njëjtën veprim ka kryer edhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila sapo është vënë në dijeni, ka urdhëruar eprorët e saj që vendimi i shumicës t’i dërgohet Prokurorisë, në mënyrë që kjo e fundit ta ekzekutonte atë. Megjithëse vendimi, ku kishin firmosur pro lirimit të Deliut 9 gjyqtarë, ishte dërguar në mënyrë të gabuar (Emri i personit ishte shkruar gabim), drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme duke qenë në dijeni të skandalit, me anën e një shkresë i kanë kërkuar Drejtorisë së Burgjeve të lirojë menjëherë shtetasit Petrit Deliu, pasi dënimi i tij kishte mbaruar që prej datës 6 shkurt të këtij viti. Ndërkohë që vendimi i është kthyer përsëri Gjykatës së Lartë, në mënyrë që ajo të korrigjojë emrin dhe ta ridërgojë përsëri atë në Prokurorinë e Përgjithshme. Historia e dosjes penale të 35-vjeçarit Deliu i ka fillesat e saj në vitin 2001, kur Prokuroria e Beratit ngriti në ngarkim të tij, por dhe të vëllait Nderim Deliu, akuzën e pengmarrjes së shtetasit Flamur Subashi. Megjithëse, ky i fundit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor hodhi poshtë alibinë e Prokurorisë, 35-vjeçari Deliu u dënua me 11 vjet. Ky vendim mbeti në fuqi edhe në Apel, ndërkohë që Gjykata e Lartë e dënoi me 3 vjet, vendim ky që i jepte Petrit Deliut lirinë pasi ai kishte qëndruar në burg më shumë se 7 vjet.

1 korrik, publikohet skandali

Pikërisht në këtë datë gazeta “Metropol” ka botuar në një nga faqet e saj, skandalin e mbajtjes për 6 muaj në burg në mënyrë të padrejtë të 35-vjeçarit Petrit Deliu. Në publikimin e kësaj çështjeje tregohej se si Petrit Deliu, vazhdonte të mbahej në qeli nga metodat burokratike të Gjykatës së Lartë dhe prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme.

4 korrik, reagon Avokati i Popullit

Në këtë datë është botuar një shkrim, ku pas publikimit të skandalit në dijeni të tij ishte vënë edhe institucioni i Avokatit të Popullit, që drejtohet nga Ermir Dobjani. Ky i fundit ka mbledhur vartësit e tij, duke i dhënë urdhër të fillojnë verifikimet në Gjykatën e Lartë si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Brenda një dite ata i kanë dërguar 2 shkresa Gjykatës së Lartë.

9 korrik, i burgosuri lirohet

Pas publikimeve të disa shkrimeve të njëpasnjëshme, në këtë datë gazeta informon se skandali i mbajtjes për 6 muaj në burg pa vendim gjykate të shtetasit Petrit Deliu, fillon të marrë zgjidhje. Pikërisht në këtë kohë nga Prokuroria e Përgjithshme është ekzekutuar vendimi i shumicës, duke bërë që 35-vjeçari nga Berati të lerë qelinë e burgut.

Pas daljes nga burgu flet babai i dy fëmijëve Petrit Deliu

“Morën fund spekulimet, drejtësia u vu në vendin e duhur”

Deliu: Do ambientohem njëherë, më pas do punoj

TIRANE- Dalja nga burgu e 35-vjeçarit Petrit Deliu ka qenë një emocion i madh për të, por edhe për gjithë familjarët e tjerë. Edhe pse autoritetet e drejtësisë shqiptare për një kohë të gjatë kanë abuzuar me lirinë dhe të drejtat e tij, tani që ai i është bashkuar dy fëmijëve dhe gruas së tij, Petriti po përpiqet të harrojë përfundimisht vuajtjet dhe hallet që e kanë ndjekur për më shumë se 7 vjet në zyrat e Prokurorisë, në gjykata si dhe në burgje. Tashmë 35-vjeçari nga komuna Otllakë e Beratit kërkon t’i përkushtohet plotësisht familjes së tij, e cila për vite me radhë ia ka mbajtur shpresën gjallë. Megjithëse ende nuk e ka marrë plotësisht veten nga ditët e rënda që ka kaluar në burg, Deliu shprehet se së shpejti do të integrohet me realitetin dhe më pas do fillojë të punojë, në mënyrë që të sigurojë të ardhura financiare për familjen e tij. Nëpërmjet një lidhjeje telefonike gazeta “Metropol” ka arritur t’i marrë një intervistë të shkurtër 35-vjeçarit Petrit Deliu, i cili la dje qelinë e burgut të Kosovës që ndodhet në rrethin e Lushnjës.

Si u ndjetë kur morët vesh se do liroheshit?

Për këtë ditë kam pritur shumë gjatë. Përpara se të flas dua të falënderoj gazetën “Metropol”, e cila nëpërmjet publikimit të skandalit të qëndrimit tim në burg për 6 muaj pa vendim gjykate, arriti të verë në lëvizje institucionet si Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë, të cilat për gati një javë kanë mundësuar daljen time nga burgu i Kosovës. Kur më thirri drejtori i burgut që të firmosja dokumentet që më jepnin lirinë, kam ndjerë një emocion të madh, pasi daljen nga burgu e kam ëndërruar çdo minutë të qëndrimit aty. Pasi kam kryer këto procedura jam përshëndetur me të gjithë shokët, dhe më pas kam dalë jashtë ambienteve, ku aty më prisnin familjarët.

Mendoni se tashmë drejtësia është vënë në vend?

Për sa i përket rastit tim drejtësia shqiptare ka qenë shumë e padrejtë. Por mendoj se aktualisht, spekulimet e qëndrimit tim në burg kanë marrë përfundimisht fund.

Kini ndonjë plan, me çfarë do të merreni tani?

Kam vendosur që gjithë kësaj kohe t’i përkushtohem familjes time. Do filloj të punoj, në mënyrë që të siguroj të ardhura për familjen dhe prindërit e mi, të cilët më kanë mbështetur maksimalisht kur isha në burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›