E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama në pasarelë, profesioni i ri dhe i merituar i kryeprokurores në detyrë

“Gazeta 55” ka udhëhequr këto javë një betejë të publikut, i cili po kërkon t’i komunikojë kryeprokurores ende në detyrë Ina Rama, se po vijon të uzurpojë funksione e prerogativa që do të ishin shumë të rëndësishme për luftën kundër krimit, por që po nulifikohen, për shkak të pozicionimit, tashmë të pamerituar që po mban shtetësja Ina Rama. Arsyet janë bërë të njohura dhe enumeracioni i mospërmbushjes së detyrës do të ishte krejt i pavend, megjithatë revista “Jeta”, një botim i dedikuar për publikun femëror, na i hoqi edhe dilemat humane që kishim lidhur me të ardhmen e afërt të kryeprokurores, ende në detyrë. Ina Rama theu në mënyrë revolucionare traditën e krijuar deri më tani nga Alush Dragoshi, Arben Rakipi e Theodhori Sollaku, për të mos i dhënë vetvetes një përmasë personale që mund të vëzhgohet nga publiku, dhe gjerë e gjatë u shtri në divanët, karriget e aksesorët e tjerë të një “shtëpie imobiliare”, për të rrëfyer se është e zonja të jetë dëshmitare e divanëve, karrigeve e mobiljeve të tjera të firmës në fjalë, emrin e së cilët nuk po e përmendim, sepse s’duam të konsumojmë një reklamë të ndaluar. Kur denoncuam uzurpimin e apartamentit të një shtetasi që ishte akuzuar për përdhunim e që më pas, dosja e akuzës ishte mbyllur nga një vartës, por mbi të gjitha, një mik i Ina Ramës, nuk morëm asnjë përgjigje, përkundrazi morëm shpifjet se fjalët tona ishin shpifje. Më vonë kur ne folëm për një shpërdorim detyre dhe i kërkuam Ina Ramës që të gjente një apartament tjetër ku të banonte (kërkesë që s’është se s’ka marrë alternativa përgjigjeje në website-in e gazetës), morëm sërish një qëndrim refuzues. Njëlloj qe edhe kur i bëmë thirrje Ina Ramës që së bashku me apartamentin të gjente edhe një punë tjetër, pasi tashmë ishte konsumuar “qiriri” i prokurorisë e se ajo s’mund të mbante më gjatë peng një institucion thellësisht të rëndësishëm për shtetin shqiptar. Por revista “Jeta”, më saktë numri i saj i fundit na i ka hequr të gjitha dilemat. Me fotografitë ekskluzive, por më saktë, me pozicionet ekskluzive ku është fotografuar kryeprokurorja, ende në detyrë, s’kemi më dilema morale. As pikëpyetja humane. Ina Rama s’do mbetet pa punë e s’do vuajë për bukë kur të lirojë zyrën e uzurpuar të prokurorit të përgjithshëm. S’ka nevojë të tregohemi nihilistë. Ina Rama mund të punojë nëpër pasarela e në shërbime të tjera fotografike. E sigurt është se do të fitojë një status të merituar, por edhe një konsensus të gjerë për punën që do të kryejë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›