Qeveria miraton kontratën e koncesionit për kaskadën e lumit Devoll

Këshilli i Ministrave miratoi dje kontratën e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues, dhe “AVN AG”, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoer si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll.
Kreu i qeverisë Berisha e konsideroi projektin për ndërtimin e kaskadës së Devollit më të madhin në Evropë në fushën e energjisë hidrike.
“Miratojmë kontratën e koncesionit për kaskadën e Devollit, aktualisht projektit më të madh në Evropë në fushën e energjisë elektrike ujore. Ky projekt parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve, përfshirë hidrocentralin e Banjës, në kaskadën e lumit Devoll, sipas një sistemi që bazohet në ndërtimin e 60 kilometrave tunel, në mënyrë që të shmangen pasojat e sedimenteve të shumta që sjell ky lum”, tha kryeministri.
Projekti, një investim me vlerë rreth 1 miliard euro, siguron një shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll, çka përbën, theksoi kryeministri, edhe epërsinë më të madhe të këtij projekti.
“Investimi është rreth 1 miliard euro, por siguron edhe shfrytëzimin më racional dhe afatgjatë që i bëhet këtij burimi të madh ujor për vendin. Në qoftë se digat e kanë jetëgjatësinë me dekada, tunelet e kanë me shekujt. Kjo është edhe epërsia e jashtëzakonshme e këtij projekti”.
Duke e shprehur bindjen se ky projekt përbën një arritje madhore të Shqipërisë në fushën energjetike, kryeministri Berisha e vlerësoi atë jo si një arritje të izoluar në këtë fushë, por një hap në drejtim të realizimit të vizionin të tij, Shqipëria superfuqi e vogël energjetike në Ballkan.