Ina Rama:Tranzicioni i vendit, jo i lehtë
"Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë. Nga rrënojat e një regjimi që pak i respektonte të drejtat e njeriut dhe ku ligjet aplikoheshin në mënyrë selektive sipas tekave politike, institucione të reja u deshën të krijoheshin, të cilat duhet t`i përgjigjeshin aspiratave demokratike të vendit.
Keshtu deklaroi Prokurorja e Përgjithshëm Ina Rama, e cila mori pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombetare të Prokurorëve dhe në Samitin e katërt Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, aktivitete te cilat, zhvilluan punimet e tyre respektivisht nga datat 27-29 qershor dhe 30-1 korrik 2011, në Seul të Koresë së Jugut. Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Prokurorisë shqiptare, që është e para në evenimente të këtij formati, u bë me ftesë të veçantë për kryeprokuroren, Ina Rama nga Komisioni Organizator i Samitit Botëror, i cili duke vlerësuar në ftesën përcjellëse "Përvojën tuaj të shquar dhe ekspertizën në fushën e drejtësisë penale", kish vendosur që Znj. Ina Rama të paraqitet me një fjalim të saj në këtë eveniment të rëndësishëm të drejtësisë botërore.
Samiti i 4-t Botëror i Prokurorëve të Përgjithshëm, gjatë ditëve të zhvillimit të tij, trajtoi çështje të ndryshme që ngrihen sot përpara drejtësisë botërore veçanerisht ato që lidhen me krimin e organizuar e trafiqet e qënieve njeresore. Në të morën pjesë delegacione nga vende te ndryshme nga e gjithë bota të cilët, drejtoheshin nga prokurorët e përgjithshëm, Ministrat e Drejtesise apo Drejtorët e Shërbimit të prokurorise së këtyre vendeve.
Në sesionin e parë plenar të Samitit, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mbajti referatin e saj në të cilin, si temë kryesore trajtoi çështjen e sekuestrimit dhe administrimit te asseteve të krimit, luftën kundër korrupsionit e krimit te organizuar si dhe problemet e shfaqura me imunitet si pengesë për hetimin.
"Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë.- u shpreh në fjalën e saj Znj. Ina Rama. Nga rrënojat e një regjimi që pak i respektonte të drejtat e njeriut dhe ku ligjet aplikoheshin në mënyrë selektive sipas tekave politike, institucione të reja u deshën të krijoheshin, të cilat duhet t`i përgjigjeshin aspiratave demokratike të vendit.
Dy dekadat e fundit kanë qenë një periudhë e transformimeve të mëdha, sfidave dhe sukseseve për shërbimin e prokurorisë shqiptare. Sot unë jam më e ndërgjegjshme se kurrë se disa nga këto suksese u bënë të mundura nga mbështetja dhe bashkëpunimi që kemi marrë nga kolegët dhe institucionet partnere." Duke shpjeguar se vendndodhja e Shqipërisë në Evropën Juglindore, si një urë mes lindjes dhe perëndimit, e kanë bërë atë një vend tranziti për organizatat kriminale që përdorën konfliktet dhe paqëndrueshmërinë politike në rajon gjatë viteve 1990 për të instaluar kanalet e trafikimit të narkotikëve dhe të qenieve njerëzore, nga Azia qendrore drejt vendeve te zhvilluara te Evropës Perëndimore, Kryeprokurorja Ina Rama theksoi se: "Sot ne jemi krenarë që nëpërmjet punës sonë intensive dhe profesionale gjatë viteve të fundit, mundësitë për këto organizata kriminale po zvogëlohen, ndërsa vendi është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive të zbatimit të ligjit. Sidoqoftë, lufta jonë kundër organizatave kriminale, qoftë lokale qoftë ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik."
Duke folur për tranzicionin e gjatë drejt demokracisë, Ina Rama u shpreh dhe për sfidat e institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat duhet të kuptojnë ende potencialin e tyre të plotë.
Në vijim të fjalës së saj, Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama duke folur për sfidat e punës së institucionit të akuzës u shpreh se "prioriteti im ditor është të forcoj përpjekjet tona kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm si një detyrë për të përmbushur mandatin tonë kushtetues, por edhe si një përpjekje - në gjykimin tim shumë të rëndësishme - për rivendosjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë".
Më tej, Rama trajtoi dhe çështjen e ligjit antimafia, për sekuestrimin dhe konfiskimin jashtë procesit penal të pasurive që burojnë nga krimi organizuar, si një koncept i ri në legjislacionin shqiptar sepse e kthen barrën e provës tek personi, pasuria e të cilit dyshohet se buron nga veprimtaria kriminale. "Qëllimi i këtij ligji, u shpreh ajo, është parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Me qëllim përforcimin e mëtejshëm të punës sonë ne kemi krijuar me partnerët tonë shtatë njësi të përbashkëta hetimore kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, në zonat më të mëdha administrative të vendit.
Megjithëse ka vend për përmirësim të mëtejshëm, rezultatet që kemi marrë nga këto njësi të përbashkëta hetimore kanë qenë befasuese, në veçanti lidhur me rastet komplekse të korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës, kontrabandës së naftës dhe hetimeve mbi krimin elektronik".