E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurohet portali i gjykatave. Berisha: Tani të heqim imunitetin

Kryeministri Sali Berisha flet shpesh kohët e fundit për gjurmueshmërinë. Me fjalë të tjera, të kontrollosh online një proces. Kësaj here ai ka inauguruar një portal për gjykatat, ku secili mund të ndjekë ecurinë e procesit të tij.

Gjatë një ceremonie të organizuar për këtë qëllim, Berisha gjeti momentin të bëjë thirrje edhe për heqjen e imunitetit.

Kjo është një arritje e madhe për venin tonë sepse lëshon rrezen e diellit në çdo labirint të veprimtarisë suaj dhe jam i sigurt se kjo përbën një ndihmë të jashtëzakonshme, në radhë të parë për trupat gjykuese. Ministria e Drejtësisë ka pse të krenohet sepse muajt e fundit ka shënuar hapa të rëndësishme. Qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur adaptimin e teknologjive më të mira në mbështetje të veprimtarisë suaj, tha Berisha.

Shpresoj që së shpejti ligji për Gjykatën e Lartë të votohet në Parlament. Do amendohet neni për rrogat. Rrogat e gjykatësve të tjerë në proporcion me ato të Gjykatës së Lartë. Vendime të tjera të rëndësishme duhet të ndërmarrim për transparencën. Dhe një ndër to është heqja e imunitetit. Funksioni i çdo zyrtari në këtë vend është mbrojtur e do mbrohet, por fatkeqësi e madhe është kur pushteti përdoret për pasuri të paligjshme. Dhe kufizimi i imunitetit nuk synon gjë tjetër veçse parandalimin e rasteve kur imuniteti përdoret për pasurim të paligjshëm. Kjo përbën zhvillim shumë pozitiv për çdo gjykatës të vendit, rrit përgjegjshmërinë e tij, dhe respektin e qytetarëve ndaj tij, vijoi kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›