Nishani lë të kuptohet se nuk mbështet Ina Ramën për një mandat të dytë: Pres më shumë nga Prokuroria
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka lënë të kuptohet se nuk do të mbështesë një mandat të dytë për Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. I pyetur për prokurorinë, në një intervistë për Top Channel, zoti Nishani deklaroi se ‘pres më shumë angazhim nga prokuroria, më tepër kurajo e profesionalizëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe korrupsionin’. Nishani deklaroi se ‘vlerësoj punën e prokurorëve, por kërkesa ime është më e madhe në rritjen e performancës së Prokurorisë’.
Zoti Nishani, a do të kemi një prokuror të ri në vjeshtë dhe si e gjykoni performancën e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama deri tani?
Përsa i takon institucionit të Prokurorisë, unë e kam shprehur dhe herë të tjera. Personalisht mendoj dhe e shoh Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, si një institucion i cili duhet të ketë shumë më tepër angazhim, shumë më tepër përfshirje, shumë më tepër kurajo, shumë më tepër profesionalizëm, në përballjen me problematikat e mëdha, që ka krimi i organizuar, por veçanërisht korrupsioni dhe krimi ekonomik. Natyrisht, që nuk mund të hidhet poshtë puna e bërë, shembujt pozitivë, kontributet e prokurorëve. Ashtu siç kam të identifikuar dhe kam një panoramë të qartë mbi mjaft gjyqtarë me integritet dhe profesionistë të mirë që janë, veprojnë brenda sistemit të drejtësisë, ashtu jam i bindur në ekzistencën e një numri të konsiderueshëm prokurorësh me dinjitet, me kurajo dhe me profesionalizëm, që funksionojnë brenda sistemit të Prokurorisë. Edhe në këtë aspekt puna e tyre duhet të vlerësuar dhe duhet promovuar, por synimi im, kërkesa ime është shumë e madhe në aspektin e rritjes së mëtejshme të performancës dhe angazhimit profesional të Prokurorisë.
