E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inaugurohet sheshi Shqiponja per 100 vjetorin e Pavaresise

Tirana tashmë do të ketë sheshin e saj me emrin e “Shqiponjës”.Është inauguruar sot, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha, 13 kryetarëve të komunave nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, Memoriali i Shqiponjës, simbolit të shqiptarëve. Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kryetarët e komunave të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit, Preshevës, Çairit të Shkupit, Gjakovës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Podujevës, Mitrovicës, Strugës e Gostivarit kanë zbuluar Memorialin e Shqiponjës, i vendosur në zonën e quajtur, rrethrrotullimi i Doganës, i cili njëherësh merr emrin sheshi “Shqiponja”. Shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra do të qëndrojë nga sot denjësisht dhe krenare, në qytetin e Tiranës.

Berisha: Të frymëzohemi nga ata që luftuan për lirinë “Sheshi me shqiponjën dy krenare, me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut, shqiponjës që do të ngrihej në 28 nëntor, nga Vlora heroike për të fluturuar për jetë mbi trojet shqiptare. Falënderoj Bashkinë e Tiranës dhe familjen Destani, falënderoj ata të cilët shkrinë mendjen e tyre aftësinë e tyre në këtë monument madhështor të të gjithë shqiptarëve ku do që janë sot”, u shpreh Kryeministri Berisha. 
Gjithashtu, kreu i qeverisë uroi shqiptarët kudo që ndodhen për këtë 28 nëntor të 100të shtetit shqiptar. 
“Le të urojmë së bashku, me përpjekje të madha, nga vepra e atyre që bënë të mundur që ne sot të jemi të lirë, për të bërë të vërtetë idealin më sublim të shqiptareve atë të bashkimit të shqiptarëve kudo që janë. Le të urojmë dhe të rinjve të kombit, të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë me dinjitet, më të lire e më të bashkuar”, deklaroi Berisha.  

Basha: Shqiponja, simboli i lirisë së kombit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët. “Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot  jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”
Financuesi i kësaj vepre madhështore Lazim Destani ka apeluar për bashkim kulturor, arsimor dhe ekonomik të shqiptarëve: 
“Sot, dëshira më e madhe e çdo shqiptari  është të jemi të bashkuar . Bashkimi është proces që ka filluar . Le ta përshpejtojmë bashkimin tonë arsimor, kulturor, ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera, për ta bërë realitet ëndrrën e shumëpritur të bashkimit kombëtar. Prandaj sa herë që janë në pyetje interesat gjithëshqiptare, duhet të jemi unikë e të flasim me një zë”
Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se sot shqiptarët ndihen krenarë, për atë që kanë arritur në këto 100 vite:  “Sot, shqiptarët kudo që janë të gjithë, le të jemi krenarë për të arritur gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shtetit shqiptar! Sot Shqipëria është shtet në NATO, shtet i cili është afër integrimi të Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i bindur dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës, se përmbyllja e suksesshme  e këtij procesi  do të kremtohet kudo me të njëjtin entuziazëm,  si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë  dhe në viset e tjera shqiptare  ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovën lindore, Çamëri, Mal të Zi, në diasporën tonë dhe anekënd  këtij globi”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›